
Shumë zona të vendit vuajnë mungesën e theksuar të energjisë, sidomos ditët e fundit ku rajone të caktuara u përfshinë nga moti i keq.
OSHEE pranon situatën e rënduar të furnizimit me energji por thotë se 50 për qind të stakimeve i kryen vetë për të shmangur djegien e transformatorëve apo kabinave elektrike. Në studion e lajmeve, lidhur me këtë situatë, gazetari Klodian Tomorri tha se situata e motit mund të përdoret si justifikim për stakimet e energjisë.
Bën sens që investimet të përqendrohen në zonat urbane, është zgjedhje e detyruar. Por një pjesë e madhe e rrjetit të shpërndarjes përbëhet nga pajisje më të vjetra se 40 vjet. Zyrtarët kanë thënë se për të rinovuar rrjetin duhen 1 miliard euro. Është një sistem që kërkon investime dhe shuma të mëdha për t’u mbajtur në punë dhe në parametra normalë.
Situata e sektorit energjetik nuk është pozitive prej vitesh. Bilancet e tre kompanive publike të energjisë kanë ardhur duke u përkeqësuar. Sektori energjetik do të mbetet sfidë nga ana financiare për qeverinë, por edhe për qytetarët.
Megjithëse jemi në një situatë ku operatori i shpërndarjes nuk e pranon që kufizimet po bëhen për kursim energjie. Është e vështirë të ndahet nëse ka me të vërtet faktorë atmosferikë që e bëjnë të detyrueshme shkëputjen e energjisë apo në ditë të ftohta energjia stakohet për t’u kursyer. Përsa u përket zonave të thella, ndërprerjet edhe mund të ndodhin. Kemi parë edhe në Tiranë. Qytetarët paguajnë dhe kanë të drejtën për një shërbim, pa ndërprerje.



