Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, komenton deklaratën e bërë pak ditë më parë në një takim elektoral lidhur me zgjedhjen e Ilir Metës kryeministër të qeverisë së pas zgjedhjeve të 18 qershorit. Në një prononcim për Report TV, Gjosha thotë se kjo deklaratë nuk është dhënë në cilësinë e ministres së kabinetit Rama.
“Nuk e di pse duhet të bënte bujë një deklaratë e tillë sepse nuk dhashë ndonjë deklaratë për shtyp as nga Ministria e Integrimit dhe as zyrtare. Kur jemi me elektoratin të gjithë ne shpresojmë për kryetarin tonë për të qenë në krye. Por kjo nuk do të thotë se është diçka zyrtare, apo një vendim për të bërë Ilir Metën kryeministër“, u shpreh Gjosha.
“Ne jemi në koalicion dhe jemi munduar, me fanatizëm do të thoja unë, që të respektojmë çdo pikë të kontratës të cilën ne e kemi ende në vazhdimësi me Partinë Socialiste do ta bëjmë këtë deri në fund. Kështu që mendoj se nuk është momenti për të diskutuar për koalicionin. Padyshim që në ditët, në javët në vazhdim do të jetë një temë diskutimi, por në këto momente ne jemi shumë të fokusuar te puna e përbashkët që kemi me Partinë Socialiste”, shtoi ajo.



