Kryeministri i vendit Edi Rama ka takuar nga afër të rinjtë që votojnë për herë të parë në Kukës.
Gjatë fjalës së tij para të rinjëve, kreu i qeverisë u premtoi më shumë punë, më shumë mirëqënie dhe një rrugë drejt Europës.
Në tre vite e gjysëm, tha Rama kjo qeveri ka dhënë provën që ky vend mund të bëhet.
“Shumëkush nga ju do kthehet sot në një shtëpi me prindër të papunë, në një shtëpi ku perspektiva e mirëqenies duket e largët. Ashtu siç ne po luftojmë me mish e me shpirt për drejtësinë, ashtu do luftojmë me mish e me shpirt për t’ju dhënë familjeve tuaja një perspektive, juve një perspektivë. Përderisa vëllezërit motrat tuaja që kanë ikur ja dalin, përse mos t’ja dalim të gjithë këtu. Janë shumë pak 3 vite e gjysmë për të ndërtuar atë që u shkatërrua në 23 vite, por për të kuptuar se ne jemi njerëzit e duhur, dhamë provën se ky vend mund të bëhet. Policët nuk hanë fara në kryqëzim dhe ndalojnë çdo njeri dhe ju shtrijnë kapelen për lekë”,- u shpreh kryeministri.
E duke u ndalur tek aktualiteti politik, Rama i dha një tjetër mesazh kryedemokratit Basha, kur u shpreh se: “Do marrim përsipër të përfaqësojmë edhe PD në zgjedhje”.
“Opozita është ngujuar në çadër sepse ka frikë nga drejtësia. Dhe frika është këshilltari me i keq. Politikanë që ngujohen se kanë frikë të përballen me drejtësinë nuk i duhen dreqit, e jo më popullit. Nëse PD nuk vjen në zgjedhje ne do të marrim përsipër barrën që t’i përfaqësojmë edhe ata. PD mori vijimësisht një besim të madh me votë këtu në Kukës dhe Tropojë, por u desh që të vinte PS që të bëhen 1100 legalizime. Ne nuk i pamë shtëpitë e prindërve tuaj, sipas ngjyrave, por i pamë të gjithë njësoj”, shtoi Rama.



