
Sa e rëndësishme është që fëmijët të mos shkëputen plotësisht nga procesi mësimor gjatë pushimeve verore?
Kjo është një nga dilemat që sot prindërit përballen, nëse duhet apo jo të angazhojnë fëmijët në kampe ditore që ndërthurin argëtimin me mësimin.
Në emisionin “MCN Informacion”, panelistet Irma Marku, mësuese, Elsa Miftari, administratore kampi dhe psikologia Nereida Llaha ndanë pikëpamjet e tyre mbi këtë temë.
Mësuesja Irma Marku, si prind, rrëfen se ka qenë përballë dilemës nëse ta çojë vajzën e saj në kamp veror.
Sipas saj, oferta dhe çmimet e kampeve sot lënë për të dëshiruar.
Fëmijët tanë janë të mbingarkuar gjatë vitit me programe shkollore, kurse të gjuhëve të huaja dhe aktivitete të tjera. Vera duhet të jetë një periudhë çlirimi nga kjo mbingarkesë.
Unë jam prind i tre fëmijëve dhe për vajzën e vogël po kërkoj të gjej një kamp të përshtatshëm.Oferta dhe çmimet që kam hasur nw kampe janë të paarritshme për një familje të mesme sot.
Kampet e dikurshme kishin vlera të tjera. Fëmijët shkëputeshin nga familja, fitonin pavarësi, mësonin të ishin të përgjegjshëm dhe të socializoheshin me të tjerët.
Administratorja Elsa Miftari thekson se në kampin që ajo menaxhon, prioritet është socializimi përmes lojës dhe aktiviteteve jashtë teknologjisë.
Fëmijët shkëputen nga telefonat. Edhe pse prindërit i japin telefonin për t’u ndjerë të sigurt, fëmijëve u ndalohet përdorimi gjatë kohës në kamp.
Ne bëjmë dy ditë aktivitete jashtë kampit, si vizita në muze dhe pishina, ndërsa ditët e tjera kemi lojëra dhe punë në grup.
Nga loja me litar, kërcimi, aerobia e deri te lojërat në tavolinë, përpiqemi të përfshijmë të gjithë fëmijët.
Psikologia Nereida Llaha e sheh kampin veror me dëshirë, si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin psiko-emocional të fëmijëve.
Kur mbyllet shkolla, fëmijët hyjnë në një zonë rehatie ku nuk duan të ngrihen, të mësojnë apo të përballen me autoritet.
Kampi veror duhet të mos jetë një vend detyrimi, por një mundësi ku fëmija shkon me dëshirë.
Shumë prindër zgjedhin kampin për arsye praktike, pasi janë në punë, por pyetja është: A janë pyetur fëmijët nëse duan të shkojnë?
Kampi nuk është thjesht një vend lojërash.Loja e qëllimtë është ajo që ka një plan dhe synon zhvillimin psiko-social të fëmijës. Shumë qendra ditore nuk kanë një vizion të qartë për këtë.
Fëmijët kanë nevojë për hapësira ku nxitin komunikimin, shprehin emocionet dhe mësojnë të bashkëjetojnë në grup.
Nuk është loja për hir të lojës, këtë e bëjnë edhe në shtëpi. Loja në kamp duhet të ketë qëllim, drejtim dhe të ndihmojë në zhvillimin emocional dhe shoqëror të fëmijës.



