Eksperti i mjedisit Polikron Horeshka, duke folur në MCN Live për zjarrin në landfillin e Elbasanit tha se i gjithë zinxhiri institucional nuk ka funksionuar. Horeshka vuri në dukje se impianti ka dalë jashtë objektit sepse landfilli ishte parashikuar për hirin e mbetjeve që do digjeshin në incenerator, jo për mbetjet që ndodhen aty. Sipas ekspertit të mjedisit ky landfill duhet të ishte pezulluar automatikisht. Sipas tij përgjegjësi ka Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe kryetari i bashkisë.
“Akoma jemi te ajo fazë që s’ka zgjidhje. Nuk dinë njerëzit se çfarë është bërë. Elbasani ka tre komponentë me shkelje të rëndë, shkelje e rëndë institucionale, shkelje teknike, dhe shkelje njerëzore. Subjekti në fjalë ku po digjet zjarri ka një leje mjedisore, ku kanë detyrime që ta monitorojë këtë leje. Ka disa komponentë, monitorimi i cilësisë së ajrit, ujërave, zjarret, që s’janë marrë parasysh.
Sot po shohim në gjithë Shqipërinë që po digjen landfillet. Ndërtimi i vend depozitimeve s’është i përshtatshëm teknikisht. Kur ndërtohet një landfill ato montohen me një sistem të kapjes së gazit metan, që është element shpërthyes, i djegshëm. Ky faktor vjen edhe nga elementi i temperaturës, s’do të thotë që duhet të shkojë njeriu dhe t’i vërë flakën. Po të ndizen mbetjet e landfillit është e vështirë të fiket, sepse materialet plastike kanë kimikate, dhe sado t’i hedhësh ujë, ai ndizet më tepër.
Dheri është për të ulur temperaturën e brendshëm dhe mosçlirimin e gazrave. Ai vend depozitimi në Elbasan është për mbetjet e hirave, që dalin gjatë djegieve. Tani inceneratori s’punon dhe mbetjet kanë kaluar në vend depozitim. Sikur nesër të ndizet inceneratori, s’ka ku të depozitohet hiri! Pastaj vjen te rasti njerëzor. S’mund të lësh në njeri pa eksperiencë të menaxhojë landfillin.
Institucionet s’kanë marrë masat. Nëse do ishin marrë masat institucionale të paktën nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në momentin që impianti ka dalë jashtë objektit, sepse landfilli është parashikuar për hirin, jo për mbetjet urbane, automatikisht duhet ta kishin pezulluar. I gjithë zinxhiri institucional është prishur, është bashkia, janë shumë element. Ajo ndotje do shkojë te gjithë popullata e bashkisë.
PM 2,5 dhe PM10 janë elementët kimikë gjatë djegies së një materiali, të rrezikshëm për frymëmarrjen. Ky futet te krimet mjedisore, dhe Kodi Penal parashikon deri në 15 vite burg. Quhet krim shumë i rëndë, por për momentin s’mund të flasim, pasi Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të monitorojë ajrin 24 orë. Këtë duhet ta kërkojë hetimi, kur të fillojë investigimi si ndodhi rasti.
Kur ndërtohet një impiant çdo 15 metra ka një impiant për fikjen e zjarrit. Nuk mund të pretendosh të vijë zjarrëfiksja nga Elbasani. Kryetari i bashkisë është përgjegjës për gjithë menaxhimin e mbetjeve. Nëse do kishte mirëorganizim të institucioneve, kryetarët e bashkisë sot do ishin rresht, do shkonin edhe për ndjekje penale.
Në BE shkojmë me letra. Sepse e kemit transfuzuar legjislacionin, problemi qëndron te zbatimi i ligjit. Nëse do kishte zbatim të ligjit s’do kishte zjarr se do ishin marrë masat”.



