Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka pranuar se dy godina në ndërtim në projektin “Durrës Marina” kanë pësuar probleme strukturore, përfshirë spostime dhe fundosje gjatë fazës së punimeve.
Gazetarja Ervina Garo për ‘MCN Live’ bëri me dije se sipas të dhënave të inspektimit në terren, një ndërtesë dhjetëkatëshe ka rezultuar me 28 centimetra spostim, ndërsa një tjetër tetëkatëshe me 18 centimetra, duke ngritur shqetësime serioze për qëndrueshmërinë e strukturës.
Rezultoi që dy godina kanë pasur spostim dhe fundosje, përkatësisht njëra prej tyre dhjetëkatëshe me 28 centimetra dhe tjetra tetëkatëshe me 18 centimetra.
Ndërkohë, autoritetet kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme nga firma ndërtuese, ndërsa punimet aktualisht janë ndërprerë, pa një vendim përfundimtar për pezullim apo vijim të tyre.
Menjëherë është kërkuar marrja e masave pas inspektimit në terren dhe më tej do t’i mbetet kompanisë ndërtuese të vijojë me zbatimin e urdhrave të IKMT-së.
Pritet gjithashtu akt-ekspertiza nga Instituti i Ndërtimit, e cila do të përcaktojë nëse strukturat janë të rikuperueshme apo do të kërkohen ndërhyrje më drastike.
Projekti “Durrës Marina”, i ndërtuar në zonën e ish-portit të Durrësit, ka qenë më herët edhe objekt debatesh politike dhe akuzash për mungesë studimesh të plota gjeoteknike, si dhe për lehtësira fiskale të dhëna ndaj investitorit.
Garo tha shitja e apartamenteve ka nisur që në fazat e para të ndërtimit, me çmime që variojnë nga mbi 2,000 deri në 3,000 euro për metër katror, ndërsa kontratat janë lidhur drejtpërdrejt mes blerësve dhe kompanisë zhvilluese.
“Ka pasur verifikime në terren në lidhje me problematikat që janë hasur në strukturën e godinave të banimit,” u theksua gjithashtu në raportim, duke shtuar se situata mbetet në pritje të vendimeve të mëtejshme dhe përfundimeve teknike.



