Rivali i vetëm përballë Bashës për kreun e PD-së, Eduard Selami, thotë se kryetari i ngrirë i partisë duhej të jepte dorëheqjen. I ftuar në emisionin e gazetarit Enkel Demi, Selami tha se Basha e ka humbur shansin e tij dhe shpalosi plaltformën e tij për bashkimin e PD-së. Selami ka shumë rezerva për mënyrën se si po zhvillohet gara, për njëanshmërinë që sjell kandidati rival si “kryetar i ngrirë” e jo një kandidat në kushte të barabarta me të, por Selami duket se është nisur në këtë garë me gjithë optimizmin e duhur për ta fituar atë.
I pyetur se nga i buron ky optimizëm, referuar një garë që nuk është e lirë e demokratike, Selami thotë se është në këtë sipërmarrje të madhe për të sjellë modelin demokratik, tek i cili ai beson se demokratët do të afrohen. Selami ndjehet afër me kritikat e kundërshtarëve të Bashës në PD, kur thotë se ata kanë të drejtë që konstestojnë kushtet në të cilat po zhvillohet kjo garë, por është kritike me mënyrën se si ata po qasen kësaj gare përmes akuzave e lëvizjeve që përçajnë e nuk e bashkojnë PD-në.
Për Eduard Selamin, demokracia e brendshme në partitë politike duket se ka qënë një mision i pamundur deri tani dhe origjina e kësaj problematike është e hershme qysh në vitin 1994, kur ai tha se u largua padrejtësisht nga PD-ja, me urdhër të Berishës. Megjtihatë, Selami ka shpresë se demokracia e brendshme do t’i sjellë PD-së madhështinë që ajo ka pasur në vitin 1992 kur i besuan shumica e shqiptarëve.



