
Rreth 40 mijë kilogramë mish me cilësi të dyshimtë është shitur dhe konsumuar në tregun e brendshëm të Kosovës. Mishi është eksportuar nga Belgjika nga kompania belge “Veviba”, ndërsa në total janë importuar në Kosovë 63 mijë kilogramë mish.
Por, ajo çka e thellon edhe më tej skandalin, është investigimi i mediave belge, të cilat raportojnë se edhe një kompani tjetër me emrin Vanlommel në muajin gusht, kishte dërguar 20 tonë mish në Kosovë, por që u sekuestrua në kufirin e Kosovës, për të cilin drejtori i kompanisë Johan Heylen, ka thënë se kjo ka qenë thjeshtë një gabim njerëzor dhe konsumatori është rimbursuar për kostot e shkaktuara.
Por, gazeta Jeta në Kosovë, duke iu referuar një dokument të Doganës së Kosovës të shkruan se çmimi i mishit i deklaruar në Doganë ishte disa herë më i ulët se çmimi në treg. Mishi i importuar në Kosovë është blerë në Belgjikë për vetëm 93 centë për kilogram, ndërsa në total ka pasur 3 ngarkesa me masë totale 60 mijë kilogram.
Herën e parë, kjo kompani kishte futur në Kosovë 22 mijë kilogramë mish, ndërsa çmimi është larg çmimit real të mishit në Kosovë, e aq më pak të mishit që ka vend të origjinës vendet europiane.



