
Rusia aktualisht e furnizon Bashkimin Europian me 40% të gazit natyror që importon.
Si pjesë e lëvizjeve të BE-së për t’i dhënë fund varësisë së saj në furnizimet me gaz nga Rusia, këtë të mërkurë u nënshkrua një marrëveshje e përkohshme me Izraelin dhe Egjiptin për eksportin e gazit natyror.
Marrëveshja parashikon një rritje të konsiderueshme në sasinë e gazit natyror izraelit të eksportuar në Egjipt, ku mund të lëngëzohet dhe më pas të dërgohet në tregjet europiane.
Izraeli vlerësohet të ketë rezerva gazi prej të paktën një trilion metër kub. Dy rrugë për të sjellë gazin në Europë janë aktualisht në shqyrtim, rruga e Egjiptit është një opsion, ndërsa një tubacion i parashikuar përmes Turqisë është një tjetër.
Zyrtarët e BE-së thonë se varësia e bllokut nga gazi rus i lejon Moskës të praktikojë një formë shantazhi mbi Europën. Në mars, Bashkimi Europian u zotua të reduktojë importet e gazit nga Rusia me dy të tretat brenda një viti.
Lidhur me marrëveshjen, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ky është një hap i madh përpara në furnizimin me energji në Europë, por edhe që Egjipti të bëhet një qendër rajonale e energjisë.



