
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për një vizitë të mundshme të tij në Luginën e Preshevës, pas vizitës në Kosovë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesit e Luginës, Thaçi ka thënë se rrethanat tani janë ndryshe dhe se ai është i dënuar nga Serbia në mungesë. Thaçi tha se dënimi i tij nuk është falur nga Serbia, madje nuk ka bërë kërkesë për një gjë të tillë.
“Kam vizituar Luginën e Preshevës, kam qëndruar dhe kam pasur bashkëluftëtar nga Lugina. I njoh shumë mirë, edhe në terrenin fizik, dhe jetoj me preokupimet e tyre, prandaj do ta shtyjë përpara çështjen e bashkimit. Kur e kam vizituar unë në kohë të rënda që kalonte Kosova, nuk i e kam vizituar me leje të Serbisë, por kam qenë aty në përpjekjet për të drejta më të mëdha të Preshevës. Tani jemi në rrethana tjetra. E dini se jam i dënuar nga Serbia me mungesë. Atë dënim Serbia nuk ma ka fal, as nuk kam kërkuar. Jam president dhe ashtu dua të sillem”, ka thënë Thaçi.
Kreu i shtetit tha se nuk do të marrë vendim që të ballafaqohet me policët serbë fizikisht. Por, Thaçi ka thënë se liderët e tjerë dhe deputetët e vendit që nuk kanë ndonjë ndalesë nga Serbia, do të duhej ta vizitonin.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ritheksuar se mundësia për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, është minimale dhe pothuajse e pamundur, megjithatë ia vlen të provohet, gjithmonë duke respektuar interesat e shtetit të Kosovës.
Ai rinënvizoi se nuk do të ketë ndarje dhe as shkëmbim, sikurse nuk do të lejojmë të krijohet republika serbska.
“Nuk iu premtoj miqve në luginë dhe nuk garantoj bashkëngjitje por do të punoj shumë që kjo të ndodhë. Se a do të ndodhë apo jo varet nga uniteti në Kosovë, në luginë dhe nga hapat tjerë të mëtutjeshme për një zgjidhje përfundimtare me marrëveshjen historike në mes Kosovës dhe Serbisë, pra një marrëveshje e karakterit, shpirtit dhe substancës evropiane“, tha ai.



