David Baker, profesor i universitetit Macquarie në Australi, bën një analizë të thjeshtë të mënyrës se si u përhap koronavirusi, duke marrë si model referimi atë që ndodhi në kroçerën “Diamond Princess”, e cila u izolua për 27 ditë në gjirin e Tokios. Shkrimi mban datën 17 maj 2020 dhe analizon pandeminë e Covid-19 në raport me gripin spanjoll, si edhe bën një parashikim të saktë për periudhën pas heqjes së masave kufizuese, në atë kohë në fuqi në Australi, dhe deri diku edhe mungesën e efektivitetit të karantinës.
Një pjesë e vogël e atyre që preken nga koronavirusi testohen. Përjashtim bëjnë rastet e të prekurve në gjendje të moderuar deri në të rëndë, stafi mjekësor, punonjësit kyçë të sektorit publik, të pasurit, njerëzit me pushtet dhe të famshmit. Në shumë raste, testimi është vullnetar.
Shumë njerëz të zakonshëm me simptoma të buta deri të moderuara nuk testohen. Shumë më tepër janë ata që as nuk e dinë që e kanë sëmundjen. Për krahasim historik, shumica e rasteve jo të rënda të gripit spanjoll gjithashtu kaluan pa u testuar dhe historianët mbështeten në përllogaritje mjaft të gjera sot.
Pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e “Diamond Princess”, një kroçerë që u izolua në det në Yokohama në shkurt, mbetet një nga mostrat e popullatës të studiuara më mirë për atë se sa ngjitëse mund të jetë sëmundja. Të gjithë në bord u testuan.
Megjithë përpjekjet për një karantinë brenda kroçerës së “Diamond Princess”, gjatë muajit shkurt numri i të infektuarve u rrit nga 10 në 712, ndërsa në bord ishin në total 3 711 pasagjerë. Pra i bie që u infektuan 19.19 për qind e tyre. Për krahasim historik, gripi spanjoll infektoi 25-30 për qind të popullsisë globale.
Më e rëndësishmja, 331 nga 712 personat e infektuar ose 46,49 për qind, ishin asimptomatikë në kohën e testimit, dhe nuk dihet se sa zhvilluan simptoma të buta më vonë; 381 persona ose 53.51 për qind treguan simptoma të sëmundjes. Vetëm 37 pacientë ose 5.19 për qind kishin simptoma aq të rënda sa u nevojitej kujdes intensiv.
Në kohën kur është bërë ky shkrim (i publikuar më 17 maj 2020), 14 persona ose 1.97 për qind e të infektuarve kishin vdekur. Nga informacionet rezulton se të gjithë ishin në të 60-at, 70-at ose 80-at. Mosha mesatare në “Diamond Princess” ishte 62 vjeç. Shkalla mesatare e vdekshmërisë në përgjithësi është 0.5 ose 0.6 për qind e të infektuarve.
Për krahasim historik, 3-6 për qind e popullsisë totale globale vdiq nga gripi spanjoll, ndërsa vdiqën 14 nga 3 711 pasagjerët e “Diamond Princess” (0.377 për qind). Deri në kohën kur është bërë shkrimi, viktimat e koronavirusit përbënin afro 0,00228 për qind të popullsisë globale.
Nëse ekuipazhi dhe pasagjerët e kroçerës do të kishin qenë në territorin e Australisë, gati gjysma e të infektuarve nuk do të kishin shfaqur simptoma dhe ka shumë të ngjarë të mos ishin testuar fare. Për më tepër, për gjysmën tjetër të të infektuarve që shfaqnin simptoma, nëse do të ishin në Australi, shumica e tyre nuk do të ishin testuar.
Ana e fshehur e pandemisë
Ndërsa statistikat për popullsinë aktuale të Australisë nuk do të jenë të qarta derisa të mbarojë kriza, ne mund të jemi të sigurt se numri i të infektuarve është shumë më i lartë se sa rastet e konfirmuara. Do të ketë një numër të madh të njerëzve që mbartën sëmundjen dhe nuk shfaqën simptoma.
Për më tepër, do të ketë shumë njerëz që shfaqën simptoma, por nuk u testuan dhe vetizolimi i tyre ishte në rastin më të mirë 'i papërsosur'.
Kjo çështje përkeqësohet nga fakti se udhëtimet nga Kina u mbyllën vetëm në fund të janarit dhe procedurat e izolimit filluan vetëm në mars. Kishte një hendek të rëndësishëm dy-mujor ku shumica e të infektuarve lëviznin rreth vendit që vijonte të bënte biznes si zakonisht.
Historikisht, sapo një sëmundje aq ngjitëse sa COVID-19 hyn në një vend, ka shumë pak gjëra që mund të bëhen për të parandaluar përhapjen përpara se të arrijë te rreth 20 deri në 30 për qind e popullsisë.
Kur kurba bie, popullsia e painfektuar mbetet e ndjeshme ndaj infeksionit derisa një vaksinë të mund të zhvillohet dhe të shpërndahet gjerësisht.
Me një numër kaq të madh potencial bartësish të pakonfirmuar të sëmundjes, ngrihet pyetja nëse izolimi u bë në kohën e duhur apo edhe nëse ka sjellë ndonjë ndryshim.
Zemërimi
Duhet të theksuar se, nëse koronavirusi është asimptomatik në aq shumë njerëz sa sugjerojnë të dhënat, atëherë tre qëllimet e kryeministrit Scott Morrison për testimin, gjurmimin dhe lokalizimin më të mirë mund të rezultojnë të paefektshme dhe të pakuptimta kur masat të nisin lehtësimin.
Ndoshta më keq sesa heqja e masave dhe rrritja e rasteve të reja është perspektiva e izolimit që vijon për disa muaj për të mos pasur ndonjë ndryshim të konsiderueshëm në raportin përfundimtar të atyre që infektohen para se një vaksinë të shpiket.
Në secilin skenar, niveli i zemërimit midis qindra mijëra australianëve që do të kenë humbur vendet e punës, kursimet dhe shtëpitë e tyre, do të jetë po aq i paprecedent sa izolimi në të cilin ne jetojmë aktualisht.
Për një krahasim të fundit historik, pasoja ekonomike e murtajës, ku klasa qeverisëse dhe elita e pasur linin shtresa të mëdha të popullatës të vuanin, kishin një pasojë kryesore - revoltën. / The Lighthouse /



