Ushqimet tradicionale dhe ato moderne janë në qendër të tryezës festive për natën e ndërrimit të viteve.
Të ftuarit e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN” për këtë fundvit, amvisa Edlira Koldashi dhe baristi Mandis, kanë sjellë në vëmendje zgjedhjet që bëjnë shqiptarët për festën e 31 dhjetorit: darkë në shtëpi apo në restorant?
Edlira Koldashi:
Kam sjellë sot përsheshin me arra dhe bukë misri, të dekoruar me shije shege dhe gjalpë të freskët, si dhe marinimin e pulës.Pulën e ziej më parë që të ruaj lëngun dhe të bëj përsheshin, pasi ai nuk mund të bëhet me lëngun e pulës gjatë gatimit. Përsheshi është më i rëndësishëm në këtë rast.
Sa i përket pjekjes së gjelit të detit, e pjek me 180-200 gradë, dhe kur dua t’i jap një ngjyrë të bukur, rris temperaturën, por gjithmonë e pjek me letër pjekëse për të marrë ngjyrën e duhur.
Unë mundohem të përfshij elemente moderne në gatimet e tryezës për Vitin e Ri, por tradicionale mbeten gjithmonë më të rëndësishme si përsheshi, byreku me qumësht, sallatrat e tjera, dhe gjithashtu bëj flinë nga ana ime e Dibrës, si dhe sheqerpare përveç bakllavasë.
Bakllavën e bëj me 100 peta dhe e pjek për 6 orë e gjysmë, gjithmonë me letër pjekëse që të ruajë shijen dhe aromën.
Mandis:
Për mua, rutina është që çdo vit, gjithmonë e kaloj darkën në shtëpi, pastaj shkoj në punë.Sa i përket pijes që shkon me përsheshin dhe mishin, vera e kuqe është perfekte, por pija mbretëreshë e natës është padyshim shampanja, sepse është ajo që themi ‘Gëzuar’.
Sa i përket pijes dhe kombinimit me ushqimin, tani në kohët e fundit, përmes rrjeteve sociale, njerëzit kanë filluar të njohin më shumë shijet dhe të bëjnë miksime me shirupa dhe pije të ndryshme.
Po them se ata janë mësuar të eksperimentohet me këto kombinime.
Për ata që nuk konsumojnë alkool, preferoj verën pa alkool, dhe gjithashtu mund të bëjmë një kokteil me lëngje frutash, një kokteil pa alkool.



