Eksperti i ekonomisë Elvin Meka, për shifrën prej 100 milionë euro që do jepet nga banka e shtetit, duke u shpërndarë si bonus në fundvit për pensionistët, e sheh si një shifër relativisht të konsiderueshme.
Duke folur për MCN Economy, për shpërblimin që do të jepet, ku pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë do marrin bonus 150 euro në fundviti, kurse ata me pension mbi 20 mijë lekë do marrin bonus në fundvit 100 euro, Meka i sheh si arnime.
Ai e cilëson skemën aktuale të pensioneve si të paqëndrueshme, për shkak se bazohet vetëm në shtyllën sociale.
Ta zëmë sikur të gjithë do marrin bonus 150 euro, kjo është shifra që duhet të paguajë çdo muaj buxheti i shtetit nëse do shkojmë në aksiomën se do të dyfishohen pensionet.
Kaq do të jetë fatura ekstra që duhet paguar, duke lënë të gjithë faturat e tjera ekstra konstante.
Duhet të përballojë një faturë 1.2 miliardë euro neto në vit.
Skema është ajo që është, janë vetëm artifica dhe arnime që i bëhen skemës aktuale, për të zbutur sadopak, gjendjen aspak të mirë ekonomike-financiare të pensionistëve.
Nëse ky bonus do të jepet dy herë në vit, mesatarisht 200 euro, shtesa mujore do të jetë vetëm 20 euro.
Nëse pensioni mesatar është 180-200 euro, çfarë mund të blihet me kaq para.
Se këtu nuk bëhet fjalë vetëm të përballohet jeta për të ngrënë dhe për të pirë, por pjesa më e madhe e këtyre personave në moshë të tretë, me përjashtime të rralla janë frekuentues të rregullt të qendrave shëndetësore.
Nga do dalin këto para? Rimbursimi i barnave është për barnat bazike dhe jo në cilësinë më të lartë të mundshme.
Pensionet duhet të shtohen shumë dhe duhet të ishin shtuar shumë. Nuk mund t’i kërkohet sot dhe qeverisë aktuale, duhet të kërkohet llogari se përgjegjësi nuk ka vetëm qeverisja aktuale.
Skema aktuale bazohet vetëm në një shtyllë, shtyllën e parë sociale, është e paqëndrueshme jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.
Skema jonë është krejtësisht e paqëndrueshme. Skema aktuale ku 1.1 kontribues mbajnë një pensionist, është e pamjaftueshme.
Nuk pritet ndonjë rritje e madhe e fuqisë punëtore dhe rritja e kontribuuesve në skemë. Do vijë një moment ku të kemi një kontribuues për një përfitues.
Që skemat të jenë të qëndrueshme, duhet të ketë 4-5 kontribues për një përfitues.
Që të rriten pensionet në të ardhmen, duhet të rritet numri i kontribuuesve. Shtylla e parë sociale, jo vetëm e ka kryer punën e vetë, por po bëhet barrë dhe pengesë.
Nga ana tjetër, Meka shtoi se buxheti i shtetit ka limitet e veta sa i takon rritjes së pagave.
Lidhur me buxhetin 8.2 miliardë euro është buxheti më i lartë i qeverisë, ai deklaroi se çdo vit buxheti vjen në rritje, pasi i përgjigjet rritjes ekonomike.
Sipas tij, ky është viti i dytë që qeveria pëson një sufiçit, mbi 600 milionë euro që qeveria duhet t'iu gjejë vendin për t'u shpenzuar, por nënvizoi se një pjesë e mirë e këtyre parave vjen nga mos realizimi në kohë i projekteve.
Meka shtoi se asnjë investim që kryhet me shpejtësi, t'i shpëtojë procesit korruptiv dhe se ekonomia nuk e merr në momentin e duhur dhe në sasinë e duhur.



