
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar nëpërmjet një postimi në profilin e tij, për dëmtimin e rëndë që mesfushori i Tiranës, Klevi Qefalia, pësoi ditën e djeshme, në ndeshjen ndaj Egnatias.
Mesfushori kishte një përplasje të frikshme në fushë, me një nga kundërshtarët dhe ra pa ndjenja në fushë, pasi kishte edhe çarje në kokë.
Për këtë, Duka shkruan se është interesuar për gjendjen e lojtarit, ndërsa i bëri thirrje skuadrave të zbatojnë rregulloren e FSHF, për organizimin e ndeshjeve.
Postimi i Dukës:
Jam interesuar personalisht nga pasditja e djeshme deri më tani për gjendjen shëndetësore të futbollistit 18-vjeçar të Tirana, Klevi Qefalija, pas dëmtimit të rëndë në ndeshjen me Egnatian në javën e dytë të Abissnet Superiore.
Jam i lumtur që futbollisti është në gjendje të stabilizuar shëndetësore duke kaluar rrezikun. Shpresoj dhe uroj që të kthehet sa më parë pranë familjes dhe në gjirin e skuadrës.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë stafin e doktorëve dhe fizioterapistëve të Tiranës për vetëdijen, durimin dhe profesionalizmin e treguar në momentin e parë të ndërhyrjes në fushë, duke i shpëtuar jetën futbollistit.
Një falënderim i veçantë shkon për gjithë stafin e doktorëve në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndërhyrjen dhe reagimin e shpejtë duke siguruar ecurinë pozitive për shëndetin e lojtarit.
Duke qenë se jemi në fillim të kampionatit përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje të gjitha klubeve të çdo niveli, që nga kategoria “Abissnet Superiore” e deri te kampionatet e moshave, që të zbatojnë me rigorozitet të gjitha rregulloret e FSHF-së për organizimin e ndeshjeve.
Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe jeta e futbollistëve.



