Ka nisur mbledhja në Pallatin e Kongreseve mes dy qeverie, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Pak minuta më parë në Pallatin e Kongreseve kanë mbërritur kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Që në nismë të fjalës së tij përshëndetëse, kryeministri Edi Rama, tha se dy vendet po punojnë për hapjen totale të kufijve mes tyre. Ai theksoi se tashmë janë hequr disa barriera në kufij, ku kemi vetëm një ndalesë dhe një kontroll, që ka relaksuar edhe lëvizjen e qytetarëve, por sipas tij, dy Ministrisë e Brendshme do të intensifikojnë punën për të çuar në hapjen përfundimtare të kufirit.
“Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE-së në rajonin tonë duke nisur nga më e thjeshta dhe më kuptimplota heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që të dyja ministritë e Brendshme e dy qeverive të intensifikojnë punën dhe të krijojnë një database të përbashkët për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve e daljeve në të gjitha pikat kufitare të perimetrit tonë të përbashkët që do na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe abuzimit me lirinë e lëvizjes”.
Në fillim të fjalës së tij, kryeminstri Rama, poashtu tha se kanë rënë dakord për një projekt të ardhshëm të përbashkët, që është investimi për një projekt rikualifikimi urban tërësor të qytetit historik të Shqiptarisë, Prizrenit.
Sipas Ramës kjo është në kuadër të 150-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, që si datë është ende larg, por projekti është menduar sipas tij që sot.
”Është kënaqësi e posaçme që pavarësisht këtij momenti kaq të vështirë, që po kalojmë ne dhe bota, kufizimi i kontakteve dhe kushtet për takime të afërta, janë shumë të kufizuara. Arrijmë të organizojmë këtë takim të 6-të ndërqeveritar, Shqipëri-Kosovë. Këtu në Tiranë, në 100-vjetorin e kryeqytetit.
Përpara se sa të vinim këtu, kemi pasur një bisedë miqësore me kryeministrin, dhe kemi rënë dakord të investohemi bashkë për të çuar përpara një projekt të përbashkët duke filluar sa më parë nga puna për, 150-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, i cili është ende larg në kohë, por jo aq larg sa për mos menduar që sot për një projekt rikualifikimi urban tërësor të qytetit historik të shqiptarisë.”- tha Rama.
Më tej, kryeministri deklaroi se së shpejti do të firmoset marrëveshja mes dy qeverive edhe për hyrje-daljen e mallrave të përbashkëta në Portin e Durrësit, duke e kthyer këtë të fundit një port de facto edhe për Kosovën.
“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për hyrje-daljen e mallrave na çon në një destinacion të paimagjinueshëm, deri para pak vitesh, shndërrimin e këtij porti në një port de facto edhe të Kosovës. Ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit që Porti i Durrësit të kthehet në një port të rëndësishëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në fjalën e tij nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë ka falënderuar homologun e tij shqiptar për pritjen siç e ka quajtur ai vëllazërore.
Hoti ka thënë se me marrëveshjet që do të firmosen sot mes dy qeverive tregojnë përkushtimin e tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Marrëveshjet që votojmë sot nisin një fazë të re bashkëpunimi dhe janë të rëndësishme për dy vendet tona, për ekonominë e dy vendeve tona”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.
Hoti tutje është shprehur se njëra ndër marrëveshjet do të jetë edhe krijimi i një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës.
“Sot me këto marrëveshje hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit ndërshtetëror. Me këto marrëveshje, memorandume të koncenturara në të mirën e qytetarëve tregon vendosmërinë e dy qeverive për të ecur përpara”, ka thënë Hoti.
“Përmes implementimit të dy marrëveshjeve siç është krijimi i fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës, bashkëpunimi në transportin hekurudhor, bashkëpunimi shumë i thellë mes dy ministrive të kulturës, pastaj atë të shëndetësisë, në fushën e sigurisë dhe atë të ekonomisë. Këto tregojnë përkushtimin dhe përcaktimin tonë për të zgjidhur problemet tona.
“Na është dashur të marrim vendime jopopuliste në fillim të mandatit, por të nevojshme. Do të punojmë për një rajon të qetë dhe një marrëveshje të plotë me fqinjin tonë verior.
Është krijuar një momentum i ri me Marrëveshjen e firmosur më 4 shtator në Washington. Momentum i ri për Kosovën, Serbinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ndër të tjera kryeminstri Avdullah Hoti.
Kryeministri i Kosovës Hoti e ftoi kryeministrin Rama në javët e ardhshme që të vizitojë Prizrenin. Kjo për të diskutuar projektin e ri të qendrës së qytetit të vjetër.
"Ne e diskutuam së bashku me kryeministrin Rama, Unë pres që në javët e ardhshme, kurdo që është e mundur dhe e pështatshme për axhendën e Ramës, e pres në Prizren, për të dsktutuar idenë, dizanjimin e shënimit të 150-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, me një projekt të ri të qendrës së qytetit të vjetër të Prizrenit, për të shënuar këtë ngjarje historike të të gjitha epokave për shqiptarët kudo që janë. Faleminderit kryeministër".

08:44h- Sot mbledhja e dy qeverive në Tiranë/ Pritet nënshkrimi i tri marrëveshjeve kryesore
Sot në Tiranë mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Janë tri marrëveshje kryesore më të mëdha që pritet të nënshkruhen. E para është dogana në Durrës [për Kosovën], linja hekurudhore dhe hidrocentrali për Kosovën që do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë.
Të dyja vendet kanë nënshkruar disa marrëveshje ndër vite me njëra tjetrën, por qe janë karakterizuar me moszbatim.
Lista e marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve
Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, në përballje me COVID-19;
Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë;
Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;
Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë për Mobilitetin në Punë;
Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;
Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;
Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë;
Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;
Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e Grupit të Punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës,
Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;
Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë;
Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.
Takimi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në orën 11:00. Dy kryeministrat shqiptare Rama e Hoti do të kenë një konferencë të përbashkët për mediat në përfundim të mbledhjes.
Mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive, u mbajt në janar 2014 në qytetin e Prizrenit, ndërsa e fundit është mbajtur në nëntor 2018 në qytetin e Pejës.
AXHENDA
11:00 – Mbërritja e delegacionit të Republikës së Kosovës përpara Pallatit të Kongreseve. (Pallati i Kongreseve, Tiranë)
11:15 – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mirëpritet nga kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama. (Bulevardi Dëshmorët e Kombit)
11:30 – Çelja e sesionit plenar të mbledhjes së dy Qeverive Shqipëri-Kosovë. (Holli kryesor, Pallati i Kongreseve)
12:45 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare. (Holli kryesor, Pallati i Kongreseve)
13:00 – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbajnë konference të përbashkët për medie. (Holli kryesor, Pallati i Kongreseve)
13:30 – Foto e përbashkët ndërmjet dy qeverive. (Holli kryesor, Pallati i Kongreseve).



