Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka apeluar vendimin e Britanisë së Madhe kundër ekstradimit të themeluesit të faqes WikiLeaks, Julian Assange, ka njoftuar një zyrtar i Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka pasur kohë deri të premten për të apeluar vendimin e gjyqtares Vanessa Baraitser, e cila ka thënë se Assange vuan nga probleme mendore dhe dërgimi i tij në SHBA do të mund të ndikonte që ai të tentojë të kryejë vetëvrasje.
“Po, ne kemi apeluar vendimin dhe do të vazhdojmë të kërkojmë ekstradim”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Marc Raimondi për agjencinë e lajmeve AFP.
Grupet për të drejta të njeriut i kanë bërë presion Bidenit që të hedhë poshtë këtë rast, i cili ngre çështje të lidhura me transparencë dhe liri të mediave.
Kur WikiLeaks kishte nisur të publikonte sekretet amerikane më 2009, administrata e ish-presidentit amerikan Barack Obama, nuk është marrë me këtë rast.
Assange ka thënë se WikiLeaks nuk është ndryshe nga mediat e tjera të mbrojtura me kushtetutë për publikim të materialeve të tilla.
Nëse dënohet për të gjitha akuzat, Assange, 49-vjeçar, mund të përballet me dënim deri në 175 vjet.Ai aktualisht është në mbajtje nga autoritetet britanike, në pritje të vendimit për apel.



