Basha nis takimet nga Dibra: Lufta e Berishës për interesat personale është luks për Ramën, do ta mbaj PD-në krah SHBA-së

Basha nis takimet nga Dibra: Lufta e Berishës për interesat personale është luks për Ramën, do ta mbaj PD-në krah SHBA-së

Për herë të parë pas 9 shtatorit, Lulzim Basha ka dalë jashtë Tiranës për t’i sqaruar demokratët për vendimin e tij për përjashtimin e Sali Berishës dhe situatën në Partinë Demokratike. Basha ka zgjedhur Dibrën si stacionin e parë, ku ka shpjeguar se përjashtimi i Berishës ishte rruga për të mbrojtur të ardhmen e PD dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

 “9 shtatori është dita kur unë kam vendosur pas muajsh të tërë përpjekjesh, ta ndaj të shkuarën nga e ardhmja. Kam vendosur ta mbaj Partinë Demokratike në krah të SHBA-së dhe SHBA-të në krah të Partisë Demokratike.”

 Basha ka theksuar se një Parti Demokratike me Sali Berishën nuk mund të fitojë zgjedhjet.

 “Në fakt keni dëgjuar nga zyrtarët e lartë amerikanë të kundërtën, keni dëgjuar qartë se ata nuk bashkëpunojnë dhe nuk do të bashkëpunojnë me asnjë parti politike e cila drejtohet nga një non grata apo nga një i mbështetur non grata. Keni dëgjuar tashmë se janë pa ekuivok në krahun e Partisë Demokratike dhe presin, presin me padurim ditën që të festojnë fitoren e Partisë Demokratike.

Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja non grata e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës. Por në fund, njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet”.

 Sipas kreut të PD, Basha, beteja e Sali Berishës bëhet për interesa personale dhe ndihmon vetëm Edi Ramën.

 “Për fat të keq, me vendosjen e interesave personale, mbi interesat e demokratëve dhe mbi interesat e shqiptarëve, ajo që ka ndodhur këto tre muaj dhe ai që e ka shkaktuar po i shërbejnë pikërisht kësaj. E ku ka luks më të madh për Edi Ramën, sesa në një kohë që duhet të shpalosim një betejë frontale kundër tij dhe qeverisë së tij, demokratët të merren me njëri-tjetrin. Ku ka luks më të madh për Edi Ramën sesa në vend që të ushtojë Shqipëria nga protestat për skandalin e inceneratorëve, lartë e poshtë dëgjohen zëra të atyre që vetëm kanë përfituar në kurriz të demokratëve, vetëm kanë përfituar mbi sakrificat e demokratëve dhe pushtetin e marrë mbi sakrificat e tyre dhe që sot janë gati të bëjnë gjithçka për karrige.

Ku ka luks më të madh për Edi Ramën, sesa nga mëngjesi deri në darkë si një telenovelë turke pa fund e pa fillim, në vend që të flitet për problemet e shqiptarëve, në vend që t’i mobilizojmë dibranët dhe gjithë shqiptarët në betejë, të dëgjojmë të njëjtat gënjeshtra që qarkullohen e riqarkullohen, e riqarkullohen.”

 Basha ka pasur një apel për të gjithë ata që sot i janë bashkuar Sali Berishës.

 “Ata që duan ta përdorin Partinë Demokratike si mburojë të interesave të tyre, të paprekshmërisë së tyre ju them ndal, nuk do t’ju lejojmë. Demokratët nuk do të hidhen kundër njëri tjetrit , demokratët do të jenë në krah të njëri-tjetrit dhe në krah të njëri tjetrit e në krah me shumicën dërrmuese të shqiptarëve do të jemi përballë, deri në fitore, deri në mundjen e regjimit.”

 Sipas Bashës, demokratët në Kuvendin e 18 dhjetorit zgjodhën të ardhmen, dhe PD është ndarë njëherë e mirë nga Sali Berisha.

“Miqtë e mi, ju e keni parë prej ditës së parë kam vendosur që mos të bëjë simetrinë e t’i përgjigjesha çdo gënjeshtra ashtu siç meritonte t’i përgjigjej. Por sot dy fjalë do t’i them: Nuk mund të ketë dy të vërteta, ose siç e ka thënë vet Sali Berisha, Edi Ramës i duhen 3 jetë për të bërë atë që kam bërë unë me ndihmën e demokratëve, me demokratët, për demokratët dhe për shqiptarët, ose unë jam tradhtar dhe besëprerë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy