
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar bizneset që tregtojnë karburant se mund të vazhdojnë të lëshojnë fatura me kasat ekzistuese. Tatimet e motivojnë këtë vendim, duke u shprehur se shoqëritë e kasave kanë përmbushur detyrimin për të mundësuar transmetimin në kohë reale të faturave edhe nga pajisjet fiskale ekzistuese të tregtuara. Në thelb, ky njoftim zyrtar i Tatimeve shkel plotësisht një vendim të qeverisë të dhjetorit të vitit të kaluar, që për karburantet përcakton një sistem krejt tjetër fiskalizimi. Në studion e lajmeve në MCN TV, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se një kthesë e tillë e papritur mund të shpjegohet vetëm me lobimin e suksesshëm të kompanisë së kasave për të mbajtur monopolin. Tomorri tha se ky vendim i Tatimeve rrëzon të gjithë propagandën e qeverisë për fiskalizimin. Për më tepër, efektet e ruajtjes së status quo-së do të ndihen direkt te konsumatori fundor, pra qytetarët që blejnë karburant.
Ai rrëzon gjithë reformën e fiskalizimit, të paktën në pjesën e karburanteve. Në dhjetor, qeveria nxori një vendim që përcaktonte si do të bëhej fiskalizimi i sistemit të karburanteve dhe sipas vendimit i gjithë procesi do të realizohej nga tre operatorë. Ishte një vendim që vendoste një skemë të re. Tani Tatimet që kishin detyrimin që bashkë me AKSH-in do të licenconin tre kompanitë, thonë vazhdoni me kasat. Pra me një vendim të Tatimeve, rrëzohet një vendim qeverie.
Nuk ka asnjë mundësi të bëhet kjo, pasi ka hierarki. Rrëzimi i një vendimi qeverie mund të bëhet vetëm përmes anulimit me vendim qeverie. Ka vetëm një mënyrë si të bëhet, kur qeveria në heshtje ka vendosur të tërhiqet mbrapsht. Pse qeveria ka ndryshuar kurs, ndryshimi kryesor ka të bëjë me ndonjë lobim të mirëfilltë për të mbajtur monopolet ekzistuese. Monopolet kur vendosen janë të vështira të çahen. Kompania ia ka arritur të lobojë dhe ky është shpjegimi më i mundshëm.
Për çfarë u bë reforma e fiskalizimit? 15 milionë euro u shpenzuan për një kompani kroate që ngriti sistemin e fiskalizimit. Qeveria tha se kjo reformë do të mbyllë evazionin fiskal dhe do të bëjë të mundur të përfitojnë qytetarët pasi më shumë para do të mblidhen në arkën e shtetit. Papritmas e gjithë kjo propagandë rrëzohet si një kështjellë rëre me një njoftim të Tatimeve. Tregu tani rri në status-quo. Nëse kemi pasur një monopol, do të vazhdojmë ta kemi. Pra tarifa më të larta që shoqëritë e karburanteve paguajnë për kompanitë e kasave dhe kjo reflektohet në çmimin fundor, pra në xhepat e qytetarëve që blejnë karburantin. Pra çimentohet një monopol. Sot ka vetëm një shoqëri kasash, shërbim komunikimi për shoqëritë e karburanteve me Tatimet. Kjo kompani do të vazhdojë të mbetet. Nuk ka asnjë mundësi që një shoqëri e re që do të plotësojë kushtet të hyjë në treg.



