Në Shqipëri ekziston një ligj për të drejtën e informimit, por shumë prej institucioneve nuk e zbatojnë. Dorian Matlija është autor i një qendre që ka marrë në analizë nivelin e transparencës të agjencive shtetërore dhe pushtetit lokal. Gjetjet e raportit janë dekurajuese.
Ka institucione, të cilat as nuk denjojnë të japin përgjigjje në shumë raste, siç mund të jetë p.sh. Kryeministria, e cila me sa duket, komisioneri nuk ka aq fuqi, sa të godasë këtë institucion, për arsye që Kryministria drejtohet nga kreu i mazhorancës politike, dhe është po e njëjta mazhorancë që e zgjedh vetë komisionerin, pra d.m.th., vetë skema ligjore është e tillë, që nuk i lejon aq shumë pavarësi këtij institucioni.
Një prej institucioneve me mungesë të theksuar të transparencës është Bashkia e Tiranës, aktivitetet e të cilës mbulohen dhe përcillen në media nga një staf i gjerë i zyrës së kryebashkiakut Veliaj.
Në një renditje që ne kemi bërë me 100 institucione më kryesore, ku ne kemi marrë nga të gjitha kategoritë dhe 20 bashkitë më të mëdha. Bashkia Tiranë është në vendin e 31. Ka bashki që janë shumë më mirë në transparencë pavarësisht se Bashkia e Tiranës ka fondet më të mëdha që mund të menaxhonte transparencë më të mirë se të tjerët.
Një garanci shtesë për zbatimin e ligjit ishte ngritja e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, e cila i detyron isntitucionet të kthejnë përgjigje Brenda një kohe të caktuar.
Komisionieri për të drejtën e informimit nuk i jep zgjidhje situatës, në pjesën dërmuese të rasteve. Në qoftë se komisioneri më herët merrte vendime , po themi në 30, 40, 50 raste, kësaj radhe ka marrë vetëm 13 vendime, dhe shumë raste të tjera i raporton se i ka zgjidhur me ndërmjetësim, por në fakt, ne kemi raste të gazetarëve, që na janë drejtuar ne, të cilët thonë që nuk kanë marrë asnjë zgjidhje, qoftë edhe me ndërmjetësim nga ana e komisionierit.
Ata që kërkojnë më shpesh zbatimin e ligjeve në Shqipëri janë ndërkombëtarët, deklaratat e të cilëve nuk përputhen me monitorimin që vetë ata duhet t’i bëjnë transparencës së institucioneve në Shqipëri.
Nuk mund të them se ka interes shumë të madh nga BE, se ka shumë gjëra për të cilat BE interesohet në Shqipëri, si reformat, por OSBE është shumë e interesuar, Ambasada e SHBA ka qenë e interesuar, na ka mbështetur. Këta aktorë ndërkombëtarë në Shqipëri vihen në dijeni nga ana jonë.
TvT kërkoi të dijë edhe qëndrimin e Komisionerit Besnik Dervishi, por ky i fundit nuk pranoi të prononcohej për media.
Raporti i publikuar pritet që t’i delegohet Kuvendit të Shqipërisë, pasi në muajn mars pritet të diskutohet me gjerësisht mbi zbatimin e këtij ligji.



