
Kreu i qeverisë tha sot se ndihmat financiare që janë mbledhur për të prekurit nga tërmeti do të menaxhohen në mënyrë të tillë që të mos humbet asnjë qindarkë.
Rama tha se do të bëhen të gjitha vlerësimet për të nisur menjëherë nga puna ndërtimi i shtëpive të reja për ata që mbetën të pastrehë nga tërmeti.
Ai bëri thirrje që të gjithë ata që solidarizohen me të prekurit duke kontribuuar financiarisht ta bëjnë këtë vetëm nëpërmjet e-albania.
“Vetëm nga dy sipërmarrës të mirënjohur shqiptarë Behgjet Pacolli dhe Shefqet Kastrati janë 2.5 milionë euro. Bankersi ka dhuruar 1 milionë euro dhe kompani të tjera janë të gatshëm ta bëjnë këtë më siguri. Nuk janë derdhur në bankë dje apo nuk mund të derdhen sot për shkak të bankave të mbyllura. Por një shumë e verifikuar me transaksione është 5 milionë euro, dhe 1.5 milionë dollarë. Qoftë ato me figura bankare qoftë ato të dhënat e portalit e-Albania ku ka një numër shumë të madh donatorësh të vegjël që janë ata që dua t’i falenderoj të parët, nga brenda dhe jashtë vendit“, tha Rama.



