Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një lidhje skype për MCN foli rreth situatës së zjarrëvënieve në zonën e Vlorës, një nga qarqet më të prekura por jo vetëm. Ai renditi të gjitha zonat që janë të prekura nga zjarret, ndërsa theksoi se institucionet vendore dhe ato civile po punojnë për të kthyer në normalitet situatën.
“Në gadishullin e Karaburunit kemi aktualisht tre vatra zjarri, është vatra e parë në majën më të lartë, në lartësi 1350 metra, atje ku fillon parku i Llogarasë, është aktive, fiket, riaktivizohet përsëri, kemi pastaj një vatër të re këtu në Karaburun, që është pikërisht në Gjirin e Gramës, si dhe vatra e Dukatit, e cila ka pasur një rindezje të themi gjatë ditës së djeshme, dhe sot është gdhirë në flakë, pra janë tre vatra aktive në qarkun e Vlorës. Kemi gjithashtu një vatër aktive ne Fier sot, një njësinë administrative të Cakranit, në një fshat tjetër, kemi vatër aktive në Finiq, këto janë duke u mbajtur nën kontroll. Në veri kemi vatër aktive në Kukës, ku po punohet prej 2-3 ditësh, nga toka dhe nga ajri, ka vështirësi, por e konsiderojmë jashtë rrezikut dhe jashtë zonave të banuara, kemi pastaj në Luginën e Valbonës, në Mirditë, në Vermosh, kemi fikur prej 3-4 ditësh në Fushë-Arrëz, këto janë pak a shumë por është shumë dinamike sepse ndryshojnë, kemi rindezje, fikje”, është shprehur Ministri i Mbrojtjes.
Ndërsa ministri Peleshi u ndal edhe në rastin e zjarrit në Gjirin e Gramës, një zonë turistike ku ka prani të lartë pushuesish. Ai tha se mbrëmjen e së premtesh në atë zonë janë evakuuar të gjithë turistët, ndërsa do të kthehen sërish aty me normalizimin e situatës.
“Evakuime kemi patur në Gjirin e Gramës gjatë mbrëmjes së djeshme si pasojë e flakëve. Nuk është një zonë e populluar, por ka një prani të lartë të turistëve. Jemi munduar t’i mbajmë larg turistët pasi aty ende është aktive vatra e zjarrit dhe sapo të shuhet do t’i kthejmë sërish aty. Në qafën e Llogarasë nuk është prekur asgjë”, theksoi më tej Peleshi.
Por cilat janë shkaqet që zonat malore, kryeshisht ato në jug, janë përfshirë prej ditësh nga flakët dhe këto të fundit pësojnë riaktivizim të herëpashershëm? I pyetur nga gazetarja Viol Xhafaj, ministri i Mbrojtjes nuk ngruroi të jepte arsyet. Sipas tij, nuk janë vetëm barinjtë ata që djegin malet, por kemi edhe raste ku një zonë e gjelbër digjet me qëllim për ta kthyer atë në truall.
“Dëmi që shkaktohet është i jashtëzakonshëm, qoftë në natyrë, qoftë dëme materiale apo qoftë në angazhimet e të forcave. Kemi 8 të arrestuar deri më tani për zjarrëvënie dhe ne kemi informacione, strukturat e inteligjencës, Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet vendore po mbledhin informacione rreth këtyre rasteve. Nëse i bëjmë një analizë logjike, më duket pak e tepërt që të jenë të gjitha për shkak të hapjes së kullotave nga barinjtë. Do të duhet të ishin kriminelë të pashpirtë se në mes të gjithë këtyre vatrave të zjarrit ata vazhdojnë e të hapin vatra të tjera. Duhet të ketë edhe qëllime të tjera. Ka nga ata që i gënjen mendja se duke shkatërruar një sipërfaqe të gjelbër ta kthejnë atë në truall. Në fakt, trualli nuk kthehet në territor, trualli kthehet në letër. Në letër nuk kthehet më, sepse Shqipëria ka në planin e përgjithshëm kombëtar të zhvillimit të miratuar ku ndahet, nëse një tokë kthehet në truall apo jo. Dhe për aq kohë sa është zonë e gjelbër, nuk mund të jepet leje ndërtimi, asnjë kryetar bashkie nuk mund ta bëj këtë para se të jetë çmendur”, tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.



