
Kisha Katolike e Shqipërisë, përmes një shkrese zyrtare drejtuar instancave kryesore shtetërore në vend, ka kërkuar që të vendoset me ligj dënimi i krimeve të komunizmit.
Dom Mark Pashkja, zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë tha në studion e MCN Live se duhet bërë rishikimi i drejtë i historisë dhe se është një domosdoshmëri pastrimi i proceseve që krijojnë shpeshherë bipolaritet.
Duke vijuar më tej, Pashkja theksoi se duhet të përpiqemi të formojmë individë që janë të rrënjosur në shenjtërinë e lirisë dhe të vërtetës dhe se kjo nismë nuk ka qëllim të fshijë historinë, por të nxjerrë mësime nga e kaluara.
Përderisa Europa është ambienti që ne tentojmë dhe kemi dakordësi sociale, për të aderuar, është hap i domosdoshëm për të mirën, për të vërtetën dhe për shëndetin e shoqërisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për edukimin e brezave të ri që të evitojmë ato simbole apo sjellje të individëve që tentojnë të thurin lavde apo të sjellin diçka pozitive të një sistemi që vetëm pozitiv nuk ishte. Për 45 vjet Shqipëria ishte vendi më i izoluar në botë.
Ne nuk po kërkojmë të fshijmë historinë, por të nxjerrim mësime nga historia. Ajo pjesë e historisë ka pasur dimensionet e veta negative. Një popull që rrezikon të harrojë të kaluarën ka rrezikun ta përsërisë atë.
Pika e parë ka të bëjë me shpalljen, me formësimin e një ndërgjegjeje shoqërore ndaj atyre që ishin krime të komunizmit. Komunizmi i shpalli luftë sistemit intelektual dhe personave që kishin kontribute në histori. Është pushkatuar Lef Nosi, duke bërë rishikim të drejtë të historisë, një rishikim të duhur ku këta persona u persekutuan për motive ideologjike dhe jo për motive të pastra siç shitet nga komunistët. Brezi i ri duhet të dijë si është në të vërtetë e kaluara.
Kemi burgun e Spaçit, kampi i Tepelenës këto duhet të shpallen monumente në shërbim të kësaj ndërgjegjeje.
Kërkojmë të ketë studim të mirëfilltë të asaj që ka ndodhur në vendin tonë nga 1945-1990. Një studim i mirëfilltë i shkaqeve, motiveve dhe fakte. Nuk është mjaftueshëm e dokumentuar.
Çfarë dinë adoleshentët sot për komunistët. Çfarë dinë ata se kush është Lef Nosi, kush janë përkthyesit e jashtëzakonshëm, kush janë ata që u burgosën.
Periudha komuniste është nga më të errëtat, nga pikëpamja e përndjekjes dhe atyre që quhen liritë ekzistenciale individuale. Brezat e rinj duhet të dinë që brenda kësaj periudhe 45-vjeçare ka ndodhur kjo gjë dhe s’duhet të shihet kjo periudhë vetëm me një figurë sipërfaqësore.
Duhet të përpiqemi të formojnë individë që janë të rrënjosur në shenjtërinë e lirisë dhe të vërtetës pa dallim përkatësie fetare, sociale apo politike.
Rishikimi i drejtë i historisë, pastrimi i proceseve të ndryshme që krijojnë shpesh herë bipolaritet është detyrë dhe domosdoshmëri sociale.
Pashkja sqaroi se kërkesa nuk është e klasifikuar vetëm për kishën katolike.
Kërkesa jonë nuk është vetëm një kërkesë e klasifikuar vetëm për kishën katolike. Është një kërkesë që përfshin brenda dhe në letër kemi të specifikuar emrat e të gjithë klerikëve, katolikë, ortodoksë, bektashinj, të gjitha komunitetet fetare, përfshirë dhe intelektualë që në jetën e tyre kanë pasur qasje ateiste. Nuk kemi të bëjmë me një klasifikim ‘vetëm të kishës katolike’, por me një zgjidhje universale. Nuk jemi për protagonizëm personal, jemi që të frymëzojmë brenda shoqërisë në të cilën shërbejmë, parime të tilla si liria, e drejta individuale, e drejta e njerëzore dhe respektimi i dinjitetit njerëzor.
Sipas Pashkjas, kjo kërkesë nuk duhet të përdoret nga grupe të caktuara politike.
Nuk besoj dhe përfitoj të them që kush e orienton këtë pjesë bën gabim shumë të madh. Nuk është ky qëllimi i kishës katolike dhe as qëllimi i këtij dokumenti. Do të jetë gabim i pafalshëm n.q.s. interpretohet nga qasje apo grupime të caktuara për shprehje politike. Nuk duhet të jetë, nuk është dhe nuk mund të jetë.
Ne kemi nevojë për kritikë, jo për atë kritikën e sistemit komunist. Por kemi nevojë për një kritikë, e kuptuar në nivelin e një racionaliteti ku evidentohet ajo që është pozitive dhe vendoset në tryezën e diskutimin ajo që nuk shkon.



