Nëse flasim për tokën e ëndërruar, gjëja e parë që mund të na vijë gati automatikisht në mendje është ëndrra amerikane, ku përmes përpjekjeve dhe punës mund të arrish pothuajse gjithçka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, ndërsa flasim për Evropën, a mund të themi se ka edhe një ëndërr evropiane?
Ndërkohë që përballemi me sfida, të shumëfishuara në këtë periudhë pandemie, mund të themi se ka një rikthim të fuqishëm të idesë, që qëndron pas konstruksionit evropian: që së bashku jemi më të fortë!
Për ata që themeluan Bashkimin Evropian, ëndrra Evropiane ishte të siguronin paqen dhe prosperitetin e përbashkët pas makthit dhe shkatërrimit të dy luftërave botërore. Por si e imagjinojnë evropianët sot, Evropën e ëndrrave të tyre?
Edhe në Shqipëri, qytetarët besojnë te ëndrra evropiane dhe e lidhin këtë ëndërr jo vetëm me dëshirën apo zgjedhjen për të jetuar në shtete, si Gjermania e kështu me rradhë, por edhe me pritshmëritë që kanë nga finalizimi i një dëshire të kahershme, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.



