Gazetarja Ola Xama thotë se mos dhënia e akteve pas mbylljes së hetimeve për inceneratorin e Tiranës, mund të ketë të bëjë me dekonspirimin e hetimeve.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ajo deklaroi se ligji për transparencën parashikon se kur mbaron hetimi për një çështje, SPAK dhe gjykata janë të detyruara që të japin aktet, kur nuk cenojnë çështjen.
Por sipas saj zvarritja e hetimeve për kryebashkiakun Erion Veliaj, si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës, i shërben vetëm kompanisë koncensionare.
Kanë përfunduar hetimet për disa zyrtarë të lartë si Alqi Bllako dhe Lefter Koka dhe vazhdojë për zyrtarë të tjerë, mbase mes këtyre rasteve mund të ketë akte që dekonspirojnë hetimet.
Gazetaria dhe denoncimet e opozitës i kanë shërbyer hetimeve.
Zoti Veliaj nuk po hetohet aq sa duhet nga SPAK, por dimë që ndaj Veliajt ka një hetim pasuror, kundrejt Bashkisë Tiranë ka hetim për aferën “5D” dhe vijon hetimi për përfshirjen e Bashkisë Tiranë si e përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Por zvarritjet e deritanishme kanë sjellë miliona euro dëm, të cilat nuk i shërbejnë qytetarëve, por vetëm koncensionarit.
Lidhur me gjetjen e gjurmës së parave dhe objektin që nuk ekziston, SPAK duhet të japë përgjigje se u bë katër vjet që kjo çështje nuk po hetohet.
Nëse ka presion, është mirë që prokurori të japë dorëheqjen.
Faktet janë zbuluar fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili ka bërë skanim shumë të mirë të dokumentacionit, dhe ka gjetur përgjegjësitë e ministrit të Financave, për koncensionin.
Fondet janë marrë përsipër për tu paguar nga kryebashkiaku Veliaj, pjesa që i takonte bashkisë, pa marrë më parë vendimin e Këshilli Bashkiak, gjë që nuk është në autoritetin e një kryetari bashkie.
Është pikërisht ky dokument që e bën me faj kryebashkiakun Erion Veliaj.
Duke pasur parasysh fuqinë politike të Veliajt e cila është shumë e madhe, mbetet për tu parë ecuria.
Kjo është çështje e drejtësisë së re dhe për mua është testi i drejtësisë së re, ndaj është më e madhe se zoti Veliaj.



