Tradita thotë që dritat e festave të fundvitit ndizen me 6 dhjetor, por Tirana, ashtu si edhe disa herë të tjera, i ka ndezur pak më herët. Gjithsesi ajo që bëri përshtypje është se ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë nuk kishte njerëz që shihnin me këshëri në sheshin ‘Skënderbej’. Kjo për shkak të kufizimeve nga koronavirusi.
Për të ndezur dritat u zgjodhën 10 fëmijë, aq sa ç’e lejon edhe rregulli i ri i vendosur për pandeminë, ndërkohë që për këtë cast mbajti një fjalim të shkurtër edhe kryetari i bashkisë Erjon Veliaj:
“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet. E megjithatë jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara. Ndaj, këtë fundvit duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “po” . Për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit", tha ai.



