
Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga foltorja e Kuvendit kushtet e reja që Bundestagu gjerman i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave. Rama tha se kushtet e Gjermanisë janë njëlloj si kur shkon për një krushqi dhe ata të vendosin kushte, dhe pasi i plotëson këto kushte, ata të vendosin kushte të reja. Më tej Rama tha se BE nuk është gati për çeljen e negociatave, dhe se një proces i tillë nuk ka lidhje me plotësimin e kushteve nga Shqipëria.
“Shqipëria sot është ku e ku në raport me kriteret dhe kërkesat e vendosura për integrimin. Dëgjova njërin këtu që tha se kishim 3 kushte, u bënë 9 kushte. Çfarë do me thënë kjo? KE para një viti tha “plotësoni këto 3 kushtet, që të hapim negociatat”. Ne këto 3 kushte i kemi plotësuar”.
Teksa foli lidhur me Maqedoninë e Veriut, kreu i mazhorancës tha se Maqedonisë do i duhet të fillojë një proces kërkesash, që Shqipëria e ka nisur sot, që është procesi i një reforme në drejtësi që do të thotë pastrim të sistemit nga të korruptuarit.
“Këtu do jemi, do shikoni se si për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë, Malin e Zi, do fillojë një proces kërkesash dhe ekzigjencash, që Shqipëria sot e ka nisur, që është procesi i një reforme në drejtësi, që do të thotë pastrim të sistemit nga të korruptuarit. Nuk e ka bërë asnjëri prej tyre”, shprehet Rama.
Në seancën e ditës së sotme në Kuvend po diskutohet mbi projekt-rezolutën e propozuar nga deputetet Senida Mesi dhe Rudina Hajdari për negociatat me Bashkimin Europian.



