
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë prof. Arben Gjata kanë nënshkruar Memorandumin e ri të Bashkëpunimit midis Universitetit të Mjekësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Manastirliu deklaroi se ky Memorandum, i hap rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë për edukimin e profesionistëve të sistemit shëndetësor, siguron rritjen e kapaciteteve, ofrimin e praktikave klinike e profesionale për profesionistët e shëndetësisë dhe mbi të gjitha, shtimin e kuotave të reja të pranimit në Mjekësi, duke filluar nga viti i ardhshëm.
Do të jenë 150 kuota pranimi mbi ato aktualet, që e çojnë numrin e përgjithshëm të studentëve të cilët do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në 450 studentë/vit. Kjo është pjesë e planit tonë disavjeçar për të patur më shumë mjekë të përgjithshëm.
Ndërkohë që do të kemi mundësi që në sajë të investimeve që kemi bërë në gjithë këto vite, spitalet rajonale të kenë mundësi që të vënë hapësirat edhe burimet e tyre njerëzore në funksion të rritjes të kapaciteteve, të formimit dhe edukimit të studentëve dhe specialistëve të mjekësisë.
Lidhur me ndërkombëtarizimin e universitetetit të Mjekësisë, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se po ecën me ritme shumë të mira bashkëpunimi me Universitetin e Bolonjës dhe Universitetin e Mjekësisë në Budapest, në kuadër të zhvillimit të doktoraturave të përbashkëta.




