Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në ditën kur shënohen 4 vjet nga marrëveshja e forcës së tij politike me PS-në, apelon që partitë politike të angazhohen për garantimin e zgjedhjeve të qeta.
Gjatë një takimi në Kuçovë, Meta tha se duhet krijuar klima për zgjedhje të qeta, ndërsa partitë duhet të kenë vullnet maksimal për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
“Të gjitha forcat politike në vend duhet të krijojnë klimën e duhur për zgjedhje të qeta, për të votuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë dhe kjo kërkon vullnet dhe dialog politik, mirëkuptim dhe përgjegjshmëri. Të gjitha forcat politike duhet të shprehin vullnetin maksimal për çështjen e dekriminalizimit, LSI është tepër e vendosur për të respektuar këtë proces”, tha Meta.
Duke komentuar protestën e PD-së në çadër, Meta thotë se një gjë e tillë nukë shtë fenomen i ri në Shqipëri.
“Çadra nuk është një fenomen i ri në Shqipëri, ka lindur që nga viti ‘94 dhe në përgjithësi në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri kemi pasur procese zgjedhore të deformuara, me probleme dhe me klimë tensioni. Të gjithë shqiptarët meritojnë të shprehin vullnetin e tyre me votë të lirë dhe për të mos penguar zgjedhjet kërkohet një dialog politik mes të gjitha partive. Çdo vonesë na çon në një drejtim të paditur, ndërkohë që i vetmi drejtim i vendit tonë është integrimi drejt BE-së”, u shpreh Meta.



