
Pas një viti e 5 muajsh burg, Ivan Bozoviç, një serb 48-vjeçar është liruar nga Gjykata e Apelit në Milano, e cila konstatoi se shkalla e parë kishte dënuar personin e gabuar. Bozoviç është dëmshpërblyer me 130 mijë euro. Ai është arrestuar në Slloveni më 25 nëntor 2012 për trafik ndërkombëtar droge për llogari të drejtësisë italiane.
Pasi është ekstraduar në Itali, ndaj tij ka nisur procesi gjyqësor. Por faji i vetëm i Ivan Bozoviçit ishte se ai kishte të njëjtin emër me një trafikant kroat të marijuanës, i cili vijon të jetë ende në kërkim.
Hetimet ndaj Bozoviç janë mbështetur kryesisht në përgjimet e dy numrave celularësh. Këta numra ishin aktivizuar nga Ivan Bozoviç, me pasaportë kroate.
Por numri i pasaportës dhe kombësia e të arrestuarit janë anashkaluar gjatë gjykimit dhe kjo ka sjellë edhe gabimin e madh.
“E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së vëmendjes, sepse nuk ka shpjegim tjetër”, thotë avokati mbrojtës i serbit Bosoviç, për emisionin “Le Iene”, në Itali.
Çështja ka marrë të tilla përmasa edhe për shkak të mungesës së një përkthyesi në momentin e arrestimit të serbit Bozoviç. Urdhri i arrestit nuk është përkthyer as në momentin e arrestimit dhe as gjatë seancave të para të marrjes në pyetje.
Kur i është siguruar një përkthyes, Bozoviç ka arritur të kuptojë situatën dhe ka deklaruar se bëhej fjalë për një gabim.
Ai ka qëndruar për disa kohë në paraburgim deri në momentin që ndaj tij ka nisur gjykimi i shkurtuar. Pavarësisht se ka ngulur këmbë se nuk ishte personi që autoritetet italiane kërkonin, ai është dënuar me 6 vjet e gjysmë burg.
Në apel, avokati i tij arriti të provonte se klienti i tij nuk ishte personi ndaj të cilit ishin ngritur akuzat. I dënuari është liruar në sallën e gjyqit dhe gjyqatri ka vendosur dëmshpërblimin e tij me 130 mijë euro.
Siç raporton faqja “ErroriGiudiziari.com”, totali i dëmshpërblimeve për dënim të padrejtë gjatë vitit 2017 arrin në 34 milionë euro.
Ndërsa nga viti 1992, dëmshpërblimet e dhëna për dënime të ngjashme kanë arritur në 684 milionë euro. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



