
Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën përgjegjës Ujësjellës-Kanalizime të Krujës dhe Bashkinë, për helmimin e 600 qytetarëve nga uji i pijshëm.
Sipas Helsinkit, ankesat e qytetarëve ishin krejtësisht të drejta, madje shqetësuese dhe revoltuese për shkak se raste të tilla ishin të përsëritura edhe më parë, megjithëse jo në këtë shkallë rrezikshmërie dhe përhapjeje.
Për një çështje kaq jetësore siç është uji i pijshëm nuk ishte treguar kujdesi i duhur, vijon reagimin e tij Komiteti Shqiptar i Helsinkit, madje për mosmarrjen e masave përkatëse në radhë të parë nga Ujësjellës Kanalizime Krujë, helmimi i qytetarëve ishte tepër i dëmshëm për shëndetin e tyre.
Si konkluzion, KShH vëren se kjo situatë në fakt duhej parandaluar, pasi shteti, me anë të institucioneve të tij, duhet të detyronte kryerjen e analizave të ujit të pijshëm nga administratori, i cili përdor laboratorin e brendshëm ose lidh kontratë me një laborator të jashtëm , gjë që sipas KSHH, nuk ka ndodhur.
Monitorimi i brendshëm nuk është ushtruar çdo ditë, dhe neglizhenca e kontrollit për cilësinë e ujit edhe në ditët e pushimit, ka çuar në helmimin e banorëve, thotë Komiteti, teksa kërkon nga Prokuroria vendosjen përpara përgjegjësisë penale, të çdo zyrtari publik, përgjegjës për situatën e krijuar.



