
Profesori i Universitetit të Bujqësisë, Gjok Vuksani, në një intervistë për “MCN Economy”, ka theksuar ngadalësimin e analizave si një nga shkaktarët kryesorë të përhapjes së mishit me salmonelë në tregun shqiptar.
Ai shpjegoi se analiza e mostrave, e cila duhej të zgjaste rreth 72 orë, ka marrë deri në 10 ditë për t'u përfunduar, duke vonuar identifikimin dhe paralajmërimin për rrezikun. Vuksani kritikoi gjithashtu mungesën e kushteve të duhura për marrjen e mostrave dhe theksoi dështimin e institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore që nuk e morën masën e duhur në kohë.
“Në rastin konkret kur mishi me salmonelë ka prekur tregun shqiptar mund të themi se risku që kjo të ndodh mund të jetë një në 10 trajlera, një në 20 trajlera, një në 15. Mund t’i ndodh një kompanie që deri tani nuk ka pasur ndonjë problem, ose nuk ka shfaqur ndonjë problem dhe mund të mos kontrollohet fare.
Përsa i përket analizës së mostrës që është marrë në pikën kufitare është marrë në kushte të papërshtatshme. Normalisht, trajleri vjen me minus tetëmbëdhjetë gradë Celsius dhe nuk mundet të merret një analizë e tillë, të hapet trajleri dhe të merret analiza kur mungojnë ambientet frigoriferike, të cilat mund të jenë shkaktarë për shkaktimin e një ndotje tjetër te ky mish.
Tjetra, mishi nuk është bllokuar. Pas analizës së katërt, analizat kanë dalë pas dhjetë ditësh. Pra nuk ka funksionuar baza ligjore, nuk ka funksionuar kontrolli dhe ndalimi në kufi.
Nuk ka funksionuar Instituti i Sigurisë Ushqimore, i cili e ka nxjerrë analizën pas dhjetë ditësh. Normalisht, një analizë për salmonelë mund të zgjasë rreth 72 orë dhe pastaj për ta identifikuar çfarë lloji është.
Pastaj, pra, në qoftë se do të kishte funksionuar instituti i sigurisë ushqimore, analiza do kishte dalë shpejt dhe do të ishte lajmëruar.
Pasi ka rënë sinjali nga Instituti i Sigurisë Ushqimore, grupi inspektues ka shkuar ditën e shtunë dhe ka bërë inspektimin, ose ditën e premte ka shkuar për të bërë inspektimin. Është gjetur dera e mbyllur dhe nuk është bërë inspektimi akoma as atë ditë. Inspektimi duhet bërë që ditën e parë, kur në ligjin e inspektimit është perceptuar shumë saktë.
Nuk mund të pengohet inspektimi dhe në raste kur pengohet inspektimi, lajmërohet urgjentisht policia dhe hapet me forcë dera, magazina, në mënyrë të tillë që të bëhet inspektimi.
Edhe një ditë pas kësaj, nuk është gjetur asnjë sipas deklaratës së drejtorit të kontrollit të riskut në AKU, që është autoriteti përgjegjës direkt për kontrollin. Edhe ditën e dytë, pasi kanë dalë analizat, përsëri nuk është gjetur asnjë produkt, as gjurmushmëria.”



