Një sasi prej 325 kg kanabis është sekuestruar gjatë një operacioni të policisë në Skrapar.
Pesë banorë të zonës janë shoqëruar në polici si të dyshuar.
Lënda u gjet në fshatin Potom.
Njoftimi i policisë
Më datë 28.09.2017, Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në vijim të punës për goditjen e vepritarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sattiva dhe në vijim të kontrolleve të vazhdueshme kanë konstatuar se: Në fshatin Potom, në vendin e quajtur “Xhamia e vjetër”, u gjetën brenda një magazine (ish-rezervat) 17 thasë me peshë 325 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva.
Strukturat e Policisë Berat kanë shoqëruar 5 banorë të zonës dhe kanë filluar hetimin për disa prej tyre, por për shkak të ruajtjes së veprimeve hetimore nuk bëhen të ditur gjeneralitetet e tyre. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.



