Kryeredaktori i MCN TV Leonard Mitro tha në MCN Live se fitorja e PS-së në Kamëz e bën edhe më të besueshme një fitore të socialistëve në Shkodër.
Mitro thekson se me këto rezultate të deritanishme opozita ka marrë një goditje të fortë, ndërkohë që pritej të bënte një revansh në bastionet e saj.
Pavarësisht se nuk kemi ende shifrat e sakta të pjesëmarrjes që duhen lexuar si statistikë më vete, fitorja e PS në Kamëz, sepse në Vorë ishte deri diku e pritshme, e bën edhe më të besueshme një fitore të PS në Shkodër. Opozita kishte pritshmëri të mëdha në pellgun Kamëz-Elbasan-Durrës. Trendi duket edhe në Elbasan, Kamza duket e mbyllur. Opozita ka marrë një goditje të fortë në këto zgjedhje edhe pse pritej të bënte një revansh në ato që konsiderohen bastione. Është e dukshme që s’ka pasur frymë opozita për të përmbysur rezultatet të paktën në ato bashki që i konsideronte bastione të vetat. Exit poll-i i vetëm që ka dalë, ai i z.Rama duhet të jetë i besueshëm sepse PS nuk gabon me projeksionet e veta. Fakti që ka fituar Kamzën i jep një bonus të mirë Veliajt në pozicionin brenda partisë.



