Avokati Kujtim Cakrani, bojkotin e seancave gjyqësore nga avokatët, përfshi edhe masat e sigurisë për dhjetë ditë, si kundërshtim i hartës së re gjyqësore, e cilëson si vendimin më ekstrem të marrë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në 30 vitet e fundit.
Cakrani sqaroi për MCN Live se gjatë gjithë këtyre ditëve është pritur për të pasur dëgjesë nga Komisioni i Ligjeve dhe në datën 27 qershor ishte parashikuar dëgjesë me kreun e Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia në komisionin.
Por sipas tij Haxhia nuk u prit me pretekste të ndryshme dhe kjo bëri që një ditë më parë të mblidhet Dhoma e Avokatisë dhe të vendosë në mënyrë jo unanime, sa i takon bojkotit ekstrem të masave të sigurisë.
Cakrani tha se sot jemi në këtë gjendje jo për faj të avokatëve!
Kanë shkuar deri në vendimin ekstrem të lënit vetëm të një Gjykate Apeli vetëm në Tiranë. Është shkelje e rëndë që të bëhen masa pa avokatët, janë vendime që nesër do jenë nul nga gjykatat më të larta, nga Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese.
Është e përcaktuar qartë që avokatët dalin nga lista e dhomave të avokative përkatëse. Nëse kanë zhvilluar seanca pa praninë e avokatëve apo avokatë të dalë nga rreshti, do kenë penalizime deri në heqjen e licencës.
Janë më shumë nga 28 mijë e 500 dosje për gjykim. Janë shumë, sipas llogarive të mia janë më shumë, duke pasur parasysh se të 6 gjykatat e apelit kanë mbi 5 mijë dosje për gjykim, kisha llogaritur rreth 35 mijë dosje.
Kemi apelin administrativ që ka 4 gjyqtarë, Gjykata e Lartë 38 mijë dosje. Janë rreth 100 mijë dosje që janë për tu gjykuar. Kemi çështje pafund në gjykatat e shkallëve të parë, që një gjyqtar ka minimumi 500 dosje për të gjykuar.
Duhet që qytetarët të angazhohen dhe të ngrihen se të prekurit kryesor janë qytetarët. Mos mbështetja e protestës së avokatëve nga qytetarët më lë pak pesimist, ose kryetarët e bashkive, deputetët e zonës nuk kanë asnjë lloj qasje ndaj protestës.
Nuk ka protestë që nuk është politike, vendimet për çdo lloj problematike do i marrë pushteti. Thirrja është që të gjithë të bashkohen me protestat e avokatëve, që nga profesionistët e lirë, noterët etj., të bashkohen se vetëm kështu mund ti imponohet pushtetit dhe qeverisë dhe KLGJ dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ky është vendim i ministria e Drejtësisë, KLGJ ka bërë procedurën për të thënë se jemi dhe ne pjesë, këtë nuk duhet ta diskutojmë. Pushteti i ka të kapur e kap edhe këtë protestë me disa avokatë.
Cakrani shtoi se problematikës që kanë ngritur avokatët nuk i janë referuar as në një veprim të vetëm në hartën e re gjyqësore, duke thënë se për këtë arsye çështja degradoi deri në këtë pikë ku jemi, pasi nuk u morën parasysh kërkesat e avokatëve.
Shoh servilizëm nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili thotë që ‘ne jemi dakord me hartën e re’. Pse duhet të bëhet lolo kryeprokurori?
Edhe prokurorët e rretheve nuk duan që të vijnë në Tiranë, se kanë ngritur jetën e tyre në ato rrethe ku janë. Prokurori i Përgjithshëm është bërë servil pa ia kërkuar njeri për hartën e re gjyqësore.
Lidhur me dëmin e shkaktuar nga bojkoti, Cakrani deklaroi se do akumulohen dosjet dhe çështjet, por se forma e vetme e avokatëve për të kërkuar të drejtat e qytetarëve, nuk ka rrugë tjetër veçse rrugës së bojkotit dhe mos shkuarjes në masat e sigurisë.
Sipas tij sot duhet të ishte alarmuar Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, për të kontaktuar me Dhomën e Avokatisë, por tha se mosreagimi tregon se marrëzisë do t’i shkojnë deri në fund.
Kjo është çmenduri dhe çmendurira të tilla bëhen vetëm në vende autokrate. Këtyre nuk iu intereson fare institucioni i avokatit.
Në të gjitha gjykatat e Shqipërisë sot ka avokatë që i paguan Ministria e Drejtësisë. Nëse do bëhej harta e re, kjo hartë duhet të konsultohet me grupet e interesit, qytetarët, avokatët.



