
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se disa vende europiane po përpiqen të krijojnë një “korridor humanitar detar” me bazë në Qipro, drejt Gazës.
Macron tha se Qiproja mund të jetë baza ajrore e këtij korridori humanitar detar, duke theksuar se për këtë çështje ka pasur diskutime me Presidentin e Republikës së Qipros, si dhe me Kryeministrin grek.
Ai shtoi gjithashtu se qëllimi është dërgimi i ilaçeve, ushqimeve dhe nevojave themelore në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur nga deti dhe ajri.
E gjithë kjo, tha Presidenti francez, duhet të përcaktohet në periudhën e ardhshme si me autoritetet izraelite ashtu edhe me Kombet e Bashkuara.
Emmanuel Macron shtoi se që kjo ide të zbatohet, duhet të ketë një “armëpushim humanitar”, të cilin Franca e mbështet, pasi është e nevojshme për të mbrojtur popullsinë civile të Gazës, por edhe për të përfunduar negociatat për lirimin e pengjeve.



