Analisti dhe gazetari Mustafa Nano e cilëson një lëvizje të natyrës berishiane partinë e re të ish-kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Në një intervistë në Skype në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se sidoqoftë, Topalli nuk mund t’i shërbejë kryeministrit Rama më shumë sesa i ka shërbyer kreu i PD-së, Basha.
“Lëvizja e Topallit është interesante. Ka identifikuar një kastë dhe kastën e konsideron treshe. Lë jashtë Berishën. Ajo ka nisur një lëvizje të natyrës berishiane. Ajo kërkon t’u thotë demokratëve se Berisha është me mua. Unë nuk jam dakord me këtë modelim mbi të cilin ngrihet kjo parti e re. Por nuk jam dakord as me ata që e quajnë atë shërbëtore e Ramës. Nëse ka një njeri që në 7 vite i ka shërbyer Ramës në mënyrë besnike, ai është Lulzim Basha”, tha ai.
Ndërsa sa i takon debatit politik mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta, Nano tha se ai do të vijojë.
“Nuk pres të ketë relaksim të marrëdhënieve mes kryeministrit dhe presidentit. Debati do të vazhdojë sepse është i natyrës politike. Presidenti Meta ka muaj që është bërë njësh me shqetësimet e opozitës. Ai ka marrë një rol politik dhe këtë betejë do ta vazhdojë. Shqetësimi i Metës ka të bëjë me fatin e LSI. Ka fjalë se PD dhe PS do të qeverisin bashkë dhe do të lënë LSI në opozitë”, tha ai.



