Artan Shkëmbi është paraqitur sot në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi akuzohet për korupsion dhe nxjerrje sekreti.
Numri dy i OFL-së ishte parashikuar të dilte para trupit gjykues për masën e sigurisë, dy ditë pasi u bë publik pezullimi i tij nga detyra. Por seanca është shtyrë, pasi avokati mbrojtës, Artan Broci, ka kërkuar kohë që të njihet me aktet e dosjes.
Shkëmbi dyshohet se ka dekonspiruar operacionin e kryer nga OFL në Elbasan në shkurt të këtij viti, për të cilin ka vënë në dijeni familjen Çapja.
Sinjalizimin për këtë e kanë dhënë autoritetet ligjzbatuese të një vendi tjetër.
Hetimi ndaj Shkëmbit është i pari në nivele të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.



