Gjatë konferencës kushtuar ndërveprimit të drejtësisë me median, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se drejtësia nuk vepron kurrë e shkëputur nga besimi i publikut.
Ai deklaroi se detyra e magjistratit përtej medias, mbetet e njëjtë, se nuk duhet të marrë vendim për ti shërbyer opinionit publik, por për t’i shërbyer ligjit.
Sadushi u shpreh se në ditët e sotme gjykimi publik paraprin atë institucional, por shtoi se detyra e magjistratit përtej medias, mbetet e njëjtë, se nuk duhet të marrë vendim për t’i shërbyer opinionit publik, por për t’i shërbyer ligjit.
Do ta kuptoni se dija juridike, sado e thellë të jetë, është vetëm fillimi i rrugës suaj. Do ta kuptoni se dosjet që do të keni përpara nuk janë vetëm akte procedurale. Pas çdo dosjeje ka një njeri, një familje, një biznes, një interes publik, një konflikt dhe shpesh një ankth njerëzor që kërkon përgjigje.
Do ta kuptoni gjithashtu se vendimet më të vështira nuk janë gjithmonë ato ku ligji duket i paqartë. Shpesh, më të vështirat janë ato vendime ku ligji është i qartë, por rrethanat njerëzore, presioni publik, vetmia e vendimmarrjes dhe pesha e pasojave ju vënë në provë. Në ato çaste përgjigjen nuk do ta gjeni vetëm në ligj. Do ta gjeni edhe tek vetja.
Aty do të kuptoni se cilësia më e rëndësishme e një magjistrati nuk është vetëm inteligjenca. Është karakteri për të mbetur i paanshëm kur të tjerët kërkojnë anësi, për të ruajtur qetësinë kur rreth jush ka zhurmë, për të dëgjuar me durim edhe atë që nuk përputhet me bindjen tuaj të parë, për të pranuar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se përulësia është shoqëruesja më e mirë e dijes.
Këto kanë qenë gjithmonë sprovat e profesionit, por brezi juaj do të përballet edhe me sfida të reja. Njëra prej tyre është tema që do të na shoqërojë gjatë kësaj dite: marrëdhënia ndërmjet drejtësisë, medias dhe publikut.
Ju do të ushtroni detyrën në një kohë kur fjala përhapet shpejt, perceptimi krijohet shpejt dhe gjykimi publik shpesh paraprin gjykimin institucional.
Kjo nuk duhet t’ju trembë, por duhet t’ju bëjë të vetëdijshëm. Media, rrjetet sociale dhe teknologjia do të vijojnë të ndryshojë.
Detyra e magjistratit, megjithatë, mbetet e njëjtë. Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë atij. Ju do të merrni vendime për t’i shërbyer ligjit.



