Ndërsa Evropa po përballet me krizën energjetike, spanjollët i kanë kthyer sytë nga dielli.
Vitin e kaluar, Ecooo Energía Ciudadana, me bazë në Madrid, thotë se kërkesat për instalimin e paneleve diellore janë rritur me 213 për qind.
Ndryshimi vjen katër vjet pasi vendi hoqi të ashtuquajturën "taksë diellore" për energjinë diellore të prodhuar në vend.
Ligji i ri i lejon njerëzit në Spanjë të krijojnë të ashtuquajturat "komunitete energjetike" për të gjeneruar energji përmes instalimeve të tyre kolektive.
"Ne po arrijmë 200 instalime në vetëm dy vjet, kjo është e rëndësishme. Epo, ky është procesi që kemi ndjekur, një proces i bashkimit të forcave, i bashkimit të punës dhe i bashkimit të interesave," thotë për Euronews, Manuel Ruiz.
Spanja renditet tani pas Holandës dhe Gjermanisë si vendi me shkallën e tretë më të lartë të energjisë elektrike që vjen nga energjia diellore.
Nuk janë pak ata që thonë se kanë filluar t’i ndiejnë përfitimet e energjisë diellore në kuletat e tyre.
"Instalimi im është me 15 panele, me një fuqi prej 5500 wat, e cila është e mjaftueshme për shtëpinë time dhe më jep mjaftueshëm për të paguar zero euro në faturën time," thotë Joaquín Sáez, një tjetër promovues i këtij projekti.
"Tani, logjikisht ka një prodhim ekstra, por ky prodhim ruhet në një bateri virtuale".
“Ne po përjetojmë një bum të vetë-furnizimit”, tha Laura Ramos, shefja e komunikimit në Ecooo Energía Ciudadana.
“Në fakt, tregu është mjaft i ngopur, edhe deri në vitin 2023 kur ne po planifikojmë instalimet tona të radhës, sepse nuk kemi materiale të mjaftueshme dhe gjithashtu instalues dhe teknikë”.
Dhe kjo rritje nuk kufizohet vetëm në Spanjë. Energjia diellore po lulëzon gjithashtu në bllok në tërësi. Midis majit dhe gushtit, 12 për qind e energjisë elektrike të saj vinte nga energjia diellore.
Në vitin 2020, kjo shifër ndalej në 5.2 për qind.



