Gazetari Mentor Kikia tha në studion e MCN Live se në zgjedhjet e 2025 do të hyjnë në garë 3 parti opozitare dhe kjo do e dëmtojë votën e tyre.
Megjithatë sipas Kikisë problemi kryesor vijon të mbetet ligji.

Realiteti është që në kampin socialist, të mazhorancës nuk ka shpërndarje të votës. Po të kujtojmë e majta ka qenë e përbërë nga disa parti. PS i përthithi këto parti dhe çdo votë që nuk është opozitare sot shkon në të njëjtin thes, ai i PS-së. Nëse do ta përkufizojmë me emër, tek Rama. Në opozitë vota joqeveritare shpërndahet në 15 thasë. PD e Berishës, e Bashës, Shehajt, 5 partitë aleate. Pastaj janë disa parti të vogla që mbledhin nga një dorë me vota.
Shpërndarja në disa fraksione e shpërpjesëton votën. Edhe sikur të mbledhin vota më shumë se mazhoranca, përtej penalitetit të ligjit, por edhe shpërndarja e votës nuk do të prodhojë pushtet për shkak të ndarjes.
Më e pakta do të kemi 3 opozita në zgjedhje. Pasi janë partitë e reja që të paktën deri tani kanë refuzuar të bashkohen me partinë e Berishës por edhe me grupin e partive të tjera të vjetra por që nuk janë me Berishën. Në zgjedhje do të hyjnë 3 grupime opozitare. Kjo do e dëmtojë votën.
Problemi më i madh vijon të mbetet ligji. Pas dështimit të Komisionit të Posaçëm edhe ky komision i ri ende nuk ka vënë asnjë pikë në ligj me gjithë takimet. Nuk janë cekur gjërat më thelbësore. Mbi të gjitha nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.



