
Dy shtetas të dënuar për vepra të ndryshme penale janë ekstraduar nga Greqia dhe Italia. Mark Marku, 35 vjeç nga Mamurrasi, u ekstradua nga Roma, pasi rezulton i dënuar me 8 vite burg për një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi.
Policia e Shtetit informon se Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas më 7 mars të vitit 2013, për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen" dhe "Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur".
Ndërkohë, nga Athina u ekstradua drejt Tiranës, shtetasi Artan Ago, 41 vjeç, lindur dhe banues në Devoll. 41 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Gjykata e Elbasanit e ka dënuar Agon me 5 vite burg më 16 shkurt të vitit 2012.
Pas ekstradimit të tyre, të dënuarit janë dërguar pranë autoritetit të burgjeve për të kryer dënimin.



