Për kryeministrin Rama, viti që lamë pas ka qenë domethënës për policinë. Në ceremoninë e prurimit të repartit të RENEA-s, kreu i qeverisë tha se viti 2019 ishte një vit i komplikuar dhe i pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër, gjatë të cilit gjithë treguesit kryesorë njohën rënie.
Duke ia vënë një pjesë të fajit mediave, për “atmosferën e rënduar artificialisht nga disa drejtime dhe në kushtet e një xhungle informacioni”, Rama tha se mund të krijohet përshtypja e gabuar mbi situatën e kriminialitetit në Shqipëri. Sipas tij, viti që lamë pas ka shënuar suksese në luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu, ai përmendi edhe protestat e opozitës, në të cilat sipas tij, policia tregoi fytyrën e një policie profesionale.
“Vitin e shkuar u shpërbënë më shumë se dyfishi i grupeve kriminale, u shumëfishuan asetet e sekuestruara vetëm në 2019. U rrit ndjeshëm forca goditëse ndaj të gjithë veprave të rënda apo më pak të rënda penale. U aplikuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit përfshi edhe krimin kibernetik, dhe siç evidenton progres-raporti u rrit niveli i sigurisë dhe të drejtave të njeriut. Falë policisë, jo vetëm u sigurua rendi dhe qetësia gjatë 6 muajve marramandës të opozitës, por u shfaq në sytë e opinionit publik vendas fytyra e një policie shteti profesionale dhe proporcionale në raport me protestën përtej gjithë vështirësisë së jashtëzakonshme, ku u vu Policia e Shtetit. Nuk ka pikë diskutimi se krahasuar me të nesërmen dita e sotme nuk mjafton”, tha ai.
Për vitin 2020, Rama tha se objektiv mbetet lufta ndaj krimit të organizuar, ndërsa paralajmëroi edhe atë pjesë të sistemit të drejtësisë që ai e ka emërtuar KÇK.
“2020 është përcaktuar si një vit kyç për të vënë në jetë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar. Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet një përparim i madh rrënjësor në pallatin e drejtësisë. Por koha e nevojshme për të vënë në funksion të plotë institucionet e reja të drejtësisë nuk është fort e shkurtër dhe në këtë fazë tranzicioni shoqëria jonë po përballet me një organizatë kriminale brenda sistemit të drejtësisë, e rrezikshme e kriminale e përbërë nga prokurorë e gjykatës që nuk e kalojnë dot vetingun e i janë bashkuar motos KÇK duke dhënë vendime skandaloze e në cenim të sigurisë kombëtare për këtë ne kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore duke e kolauduar edhe me BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht do vëmë me shpatulla pas muri çdo anëtar të KÇK-së që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, tha ai.



