Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar. “Familjaret vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën”, thuhet në njoftim. Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, Kurti u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri. “Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij”, vijon njoftimi i ZKM-së.



