
Në një lidhje me skype për edicionin e lajmeve në MCN TV nga Bullgaria, analisti Anton Panchev komentoi rezultatin e zgjedhjeve në këtë vend, duke u shprehur se rezultatet ishin gati të njëjta. Panchev tha se mosbesimi i qytetarëve po rritet pasi kanë votuar vetëm 40 për qind prej tyre. Ai vuri në dukje se shtimi i votave për partinë pro ruse tregon se bullgarët po zhgënjehen edhe më shumë nga situata politike dhe nga sistemi politik.
I pyetur a mendoni se do të zgjasë vakumi qeveritar në Sofje?, Panchev jep këtë përgjigje:
Rezultatet u përsëritën. Janë shumë të ngushta. Janë gati të njëjtat. Një parti nuk hyri në Kuvend, por u zëvendësua nga një parti tjetër me profil të njëjtë. Fare pak dallime kemi nga zgjedhjet e mëparshme. Ndoshta do të përsëriten edhe mossuksesi për krijimin e qeverisë së re, edhe pse ka sinjale pozitive në këtë drejtim. Partitë fituese kanë lëshuar zëra që mund të bisedojnë dhe të kërkojnë zgjidhje, sepse kjo situatë s’është e favorshme për partitë, për sistemin politik. Mosbesimi i qytetarëve po rritet. Kanë votuar 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Situata është e tensionuar dhe mundet që dy forcat kryesore në krye të politikës bullgare të lidhin marrëveshje së fundmi. Problemet ekonomike, sociale, problemet e korrupsionit, dy kampet kryesore kanë shkëmbyer akuza për vjedhje, korrupsion, për keqpërdorime. Si të luftojnë inflacionin, si të përmirësohet qeverisja dhe sistemi gjyqësor. Partia Nacionaliste Rilindja kishte në qendër agresionin rus në Ukrainë, duke ngjallur frikën bullgarëve se nëse nacionalistët nuk e fitojnë pushtetin Bullgaria do të hyjë në luftë në Ukrainë. Në qendër ishin problemet ekonomike dhe sociale”.
I pyetur amendoni se do jenë pjesë e qeverisë pro-rusët?, Panchev shprehet:
Nuk është e mundshme. Edhe ata vetë deklarojnë se mund të qeverisin pa koalicion, pasi partitë e tjera janë tradhtare që udhëhiqen nga ambasadat e huaja. Por shtimi i votave për këtë parti tregon që bullgarët po zhgënjehen edhe më shumë nga situata politike, nga sistemi politik. Partitë e tjera kanë përgjegjësi të madhe sepse në çdo zgjedhje do kemi rritje votash për Rilindjen. Nëse nuk krijohet qeveri prapë, do kemi probleme me stabilitetin politik. Bullgaria është vendi më i rëndësishëm për Ukrainën, sepse fabrikat ushtarake bullgare janë nr. 1 në Europë, për prodhim municionesh sipas standardit sovjetik. Furnizimi I Ukrainës me municione sovjetike dhe naftë varet prej Bullgarisë. Është vend tepër I rëndësishëm për NATO-n në këtë situatë. Besoj se edhe partitë e tjera do ndryshojnë qasje dhe do krijojnë një koalicion”.
Analisti dha një koment edhe mbi situatën në Malin e Zi, duke u shprehur se ndikimi serb në këtë vend është i madh. Panchev tha ndër të tjera se presionet e Perëndimit ndaj Sofjes për të ndryshuar Kushtetutën në lidhje me çështjet gender, apo LGBTQI, keqpërdoren nga Rusia, duke ditur që shoqëria bullgare është tradicionale.
Dihet nga të gjithë që Gjukanoviçi ka qenë një aktor tepër i famshëm në skenën politike ballkanike. Mendoj që është sinjal pozitiv në përgjithësi, por në këtë shtet të vogël ndikimi serb është i madh. Prapa Serbisë qëndron Rusia, është fakt. Duhet të kemi kujdes si do zhvillohen ngjarjet politike në Malin e Zi me presidentin e ri. Shpresojmë që do ketë një qasje pro europiane. Rusia ka mundësi të ndikojë në Ballkan kryesisht në fushën e energjisë. Në Ballkan kemi shumë probleme me karakter të ndryshëm. Probleme ekonomike, sociale. Nuk mendoj se varet shumë prej Rusisë, por duhet të kemi kujdes sepse disa hapa jo të matur nga Perëndimi mund të përdoren nga propaganda ruse. Shoqëria bullgare është tradicionale, nuk e pranojmë propagandën nga Perëndimi për gender-in, e të tjera. Përfaqësuesit nga Perëndimi na bëjnë presion të pranojmë disa ligje dhe të ndryshojmë Kushtetutën. Sipas Kushtetutës bullgare martesa është vetëm mes një burri dhe një femre. Pra propaganda ruse i keqpërdor këto qasje jo të matura nga qasjet Perëndimore. Edhe Perëndimi duhet të ketë kujdes me traditat tona, identitetin tonë, dhe nuk duhet të keqpërdoren”.



