
Gazetari Mentor Kikia në studion e MCN Live ka komentuar mundësinë e bashkimit të demokratëve për të cilën u shpreh se e sheh pothuajse të parealizueshme. Ai tha se sa më shumë flitet në media për çështjen e bashkëpunimit të opozitës, aq më shumë brenda opozitës gjërat largohen dhe se historia e vulës tashmë është shndërruar në legjendë.
Përtej dëshirës që mund të ekzistojë te të dyja palët nëse mund të ketë bashkim apo bashkëpunim shoh se nuk ka askund në horizont ndonjë sinjal se të dyja palët, pak rendësi ka e madhja apo e vogla të bashkohen në një grup, apo parti të vetme për zgjedhje. Sa më shumë flitet në media për çështjen e bashkëpunimit të opozitës, aq më shumë brenda opozitës gjërat largohen. Historia e vulës tashmë është shndërruar në legjendë, ka ndarë në mënyrë përfundimtare dy prej drejtuesve Basha, Alibeaj me pjesën tjetër që drejtohet nga Berisha dhe në këto kushte nuk shoh ndonjë sinjal për bashkim.
Në vijim, Kikia tha se Dashnor Sula është nga të paktët zëra të sinqertë në politikën shqiptare dhe veçanërisht brenda PD ka qenë ndër të paktët njerëz që duke qenë jashtë klaneve politike ka qenë padyshim në interes të vetë partisë demokratike.
Sula ka kërkuar bashkimin dhe bashkëpunimin dhe kur dy palët ishin me hunj në dorë. Tashmë në këto kushte kur duket se gjërat brenda partisë janë më keq se sa mund ta perceptojmë ne së jashtmi, serish Sula lutet për bashkim dhe bashkëpunim, por unë e shoh të pamundur të paktën deri në zgjedhjet e 14 majit. Procesin e vulës e shoh si një proces që do vazhdoj, PD ankimon, rekurs në apel pas zbardhjes etj etj, pra histori që futet në kanalet gjyqësore që askush nuk e thotë dot se kur do përfundojë. Palët do jenë në këtë përplasje derisa kjo histori të marrë fund. Palët përveç gjykatës mund ta zgjidhin vetëm duke ulur armët dhe duke tërhequr ato padi dhe rekurse. PD e Berishës mund të penalizohet për tu regjistruar, në gjykatën e Tiranës në fund mbeten letrat, dhe aty figuron Lulzim Basha, kryetar dhe jo Enkelejd Alibeaj.



