Qytetarët janë grumbulluar në sheshin **"Skënderbej"**, prej nga kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, në ditën e 33-të radhazi të protestës.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë brohoritur në kor sloganet: "Policia e krimit", "Opozitë e shitur", "Rama, jep dorëheqjen", si dhe "Rama në burg, Berisha në burg".
Kujtojmë se gjatë paradites së sotme u zhvillua një tjetër protestë para Kuvendit të Shqipërisë, në kohën kur mbahej seanca plenare.
Protesta u shoqërua me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku pati përdorim force nga të dyja palët.
Kjo ishte hera e dytë brenda kësaj jave që para Kuvendit regjistrohen përplasje mes policisë dhe protestuesve, pasi incidente të ngjashme u shënuan edhe të martën.



