Gjatë një takimi në Shëngjin, kryeministri Rama foli rreth marrëveshjes me kreun e demokratëve, Basha, të cilit u shpreh se iu dha mundësia të kontrollojë atë për të cilën pretendonte gjatë protesës 3-mujore në çadër. Rama tha se punonjësit e administratës janë të lirë të angazhohen në veprimtari politike pas përfundimit të orarit zyrtar, ndërsa shtoi se rastet e përdorimit të postit për të mbledhur vota duhen ndëshkuar.
“I dhamë mundësitë të kishte sytë dhe veshët në administratë që të kishte mundësi të kontrollonte dhe të bindej se paranoja e shtetit që nxjerr administratën në fushatë nuk është realiteti ynë. Njerëzit kanë të drejtë që pas orarit të punës të shkojnë në fushatë, të bëjnë çfarë të duan. Punonjësit e administratës kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan pas orarit të punës. Por kush shfrytëzon pozicionin për t’u bërë presion të tjerëve për votën, duhet të shkojë në burg”, tha ai.
Kreu i qeverisë e vlerësoi positive bashkëqeverisjen me LSI-në, por shtoi se vota massive për PS-në do t’i japë asaj mundësinë të qeverisë me një administratë të paparcelizuar.
“Bashkëqeverisja ka qenë pozitive, po ta shohësh në pikëpamjen e themeleve. Po ne nuk mundet më të vazhdojmë me idenë se këtë drejtorinë e ka filan parti dhe këtë tjetra. Unë nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj ta mbaj të gjithë pushtetin për vete. Po të ishte ashtu, nuk e nxirrnim PD-në nga çadra. Po ne duhet të ndërtojmë një administratë që të jetë në shërbim të njerëzve dhe jo në shërbim të klientelës, që të jetë rezultat i filtrimit të më të mirëve”, tha ai.



