Disa avokatë në Argjentinë paraqitën një padi për mashtrim kundër presidentit Javier Milei në gjykatën penale të dielën, duke e akuzuar për promovimin e një kriptomonedhe në rrjetet e tij sociale.
Të premten, Milei postoi në X rreth $LIBRA, një monedhë që, sipas tij, synonte të “nxitë rritjen ekonomike duke financuar bizneset e vogla dhe startup-et”.
Ai e fshiu postimin disa orë më vonë dhe vlera e monedhës ra, duke shkaktuar humbje prej miliona dollarësh për investitorët e saj të përkohshëm, sipas platformës financiare Dexscreener.
Monedha, e krijuar nga KIP Protocol dhe Hayden Davis, mund të blihej përmes një lidhjeje që i çonte përdoruesit në faqen e internetit vivalalibertadproject.com, e cila i referohej shprehjes së njohur me të cilën Milei zakonisht përmbyll fjalimet dhe postimet e tij në rrjetet sociale.
Zyra e Presidentit deklaroi të shtunën se Milei nuk kishte qenë i përfshirë në asnjë fazë të zhvillimit të kriptomonedhës dhe vendosi të fshinte postimin për të shmangur spekulimet dhe për të kufizuar ekspozimin e mëtejshëm, pas reagimeve të publikut ndaj projektit.
Jonatan Baldiviezo, një nga avokatët paditës, i tha AP-së se ata e shihnin këtë rast si një skemë të paligjshme për të kryer "një numër të pacaktuar mashtrimesh".
Baldiviezo e paraqiti padinë së bashku me avokatin Marcos Zelaya, inxhinieren María Eva Koutsovitis dhe ekonomistin Claudio Lozano, ish-kreu i Bankës Qendrore të Argjentinës gjatë administratës së ish-presidentit Alberto Fernández. Drejtësia penale pritet që të hënën të caktojë një gjyqtar për çështjen ose ta dërgojë atë në prokurori për hetime të mëtejshme.
Paditësit e konsiderojnë veprimin e Mileit si një skemë të njohur në botën e kriptomonedhave si “rug pull” (tërheqja e qilimit).
Kjo ndodh kur një krijuesi lëshon një token për të tërhequr investitorët, por më pas e braktis atë sapo fondet mbiçmohen, duke e bërë monedhën të pavlefshme. Baldiviezo shtoi se Milei ka shkelur gjithashtu Ligjin për Etikën Publike.
“Presidenti publikoi një postim në llogaritë e tij personale duke njoftuar nisjen e projektit të Protokollit KIP, ashtu siç bën çdo ditë me shumë sipërmarrës që dëshirojnë të hapin biznese në Argjentinë për të krijuar vende pune dhe për të tërhequr investime,” deklaroi Zyra e Presidentit.
Pas fshirjes së postimit, Milei shkroi në X se nuk kishte qenë në dijeni të zhvillimit të monedhës dhe akuzoi kundërshtarët e tij politikë për përpjekjen për të shfrytëzuar këtë situatë.
“Nuk isha në dijeni të detajeve të projektit dhe pasi u informova, vendosa të mos e promovoj më (prandaj e fshiva tëeet-in),” tha ai.
Zyra e Presidentit konfirmoi se Zyra Kundër Korrupsionit e vendit, e cila funksionon nën Degën Ekzekutive, do të nisë menjëherë veprimet e saj. Administrata gjithashtu pranoi se Milei dhe anëtarë të ekipit të tij ishin takuar kohët e fundit me përfaqësues të Protokollit KIP në zyrën presidenciale.
"I gjithë informacioni i mbledhur nga hetimi do t'i dorëzohet gjyqësorit për të përcaktuar nëse ndonjë nga kompanitë apo individët e lidhur me projektin e Protokollit KIP ka kryer ndonjë vepër penale," thuhej në deklaratën e administratës Milei të shtunën.
Hayden Mark Davis, një nga përfaqësuesit e KIP Protocol që ishte takuar me Milein, e fajësoi presidentin për rënien e vlerës së kriptomonedhës në një video të postuar në rrjetet e tij sociale të shtunën.
“Pavarësisht angazhimeve të mëparshme, Milei dhe ekipi i tij ndryshuan papritur qëndrim, duke tërhequr mbështetjen dhe duke fshirë të gjitha postimet e mëparshme në rrjetet sociale,” tha Davis.



