Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor të SPAK, lidhur me vrasjet e vitit 2005, të zbadhura një ditë më parë: atë të biznesmenit Vajdin Lamajt e Klodian Saliut, ngjarje për të cilat mes të tjerëve akuzohen edhe Emiljano Shullazi e Lulzim Berisha.
Organi i akuzës thotë se në lidhje me këtë ngjarje ka ndaluar publikimin e vendimit dhe akteve hetimore, ndërsa kërkon mirëkuptimin e medias në zbatimin rigoroz të ligjit.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkak nga publikimi i të dhënave sekret hetimor, për rastin në hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka filluar kryesisht hetimet sipas nenit 313/b te Kodit Penal. Sipas vendimit të Gjykatës me Nr 115 date 02.12.2020, me të cilin janë caktuar masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për disa shtetas, sipas nenit 238 te Kodit të Procedurës Penale, është vendosur ndalimi i publikimit të këtij vendimi, bazuar në nenin 103 pg, 2 dhe pg 3 të Kodit të Procedurës Penale. Në këto rrethana publikimi në kundërshtim me vendimin parashikohet si vepër penale, sipas nenit 313/b të Kodit Penal. Duke mirëkuptuar interesimin e madh si dhe duke respektuar të drejtën e informimit, kërkojmë mirëkuptimin e medias në zbatimin rigoroz të ligjit”, thuhet në njoftim.



