
Kryedemokrati Sali Berisha foli sot për buxhetin e vitit 2025, duke akuzuar se pensionistëve u jepet bonusi i blerjes së votave, ndërsa miliardat shkojnë për ministrinë e Infrastrukturës së drejtuar nga Belinda Balluku. Ai ftoi pensionistët dhe qytetarët në protestë pasditen e nesërme para parlamentit.
Berisha tha se po diskutohet buxheti më i madh në histori prej 8.2 miliardë eurosh, i cili në mënyrë tragjike sipas tij, në vend se të jetë njëkohësisht dhe buxheti i mbështetjes më të madhe për qytetarët, është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit.
Është buxheti adresimit të 90 përqind të fondeve drejt duarve të zeza të qeveritarëve. Drejt lubi Ballukut, që ndan 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Ka hyrë në Guines kjo hajdute shpifarake që nuk njeh standard dhe moral dhe që një vepër prej 27 kilometra rrugë, vazhdon ta vjedhë dhe ta vjedhë nga viti 2013 gjer sot.
Rikujtoj ju të nderuar gazetarë dhe mbarë shqiptarët se autostrada Tiranë-Elbasan përveç segmentit Farkë-Ibë, në 30 kilometrat e tjera ka përfunduar në 18 muaj, bashkë me tunelin, me kalime të ndara vajtje dhe ardhje.
Kurse unaza Rama-Balluku vazhdon prej 15 vitesh dhe gjatë kësaj kohe janë firmosur 14 kontrata për 13 km se duam ta mbajmë më shpejt, thotë hajdute Balluku, që mbrohet nga një bandë e Skrapit.
Po Rruga e Kombit, 64 kilometra që përfundoi në dy vite e gjysmë? Po Rruga e Bregut, 70 kilometra që përfundoi në dy vite?
Po nuk i ndanim në llokma, ne paguanim tenderin në të gjithë segmentin dhe kërkonim respektimin e afatit.
Pra, ky buxhet që shkon miliarda tek Lubi Balluku, shkon gjithsej me 40 milionë tek 40 përqind e popullatës që jeton në fshat.Së pari, bonusi i fundvitit janë paratë që Edi Rama u vodhi pensionistëve nga muaji mars gjer në muajin tetor, të cilët sipas ligjit të parlamentit, që nuk mund ta ndryshojë asnjë qeveri përveç parlamentit, duhet të merrnin shtesën 4 përqind duke nisur nga data 1 mars. Edi Rama çfarë bëri? Nuk ua dha, i mashtroi, i përçmoi, i përbuzi dhe shumën e krijuar nga marsi në tetor, do ta japë për bonus. U bëj thirrje shoqatave të pensionistëve, të formulojnë dosjen, të padisin hajdutin në gjykatë, se nuk po u jep bonus, po i mashtron. Ato para ju duhet ti merrni si 4 përqind e pensionit tuaj, çdo muaj. Por ai nuk ua dha. I pashpirt. Ndërkohë që rriti rrogat me 5 herë rrogat e larta dhe vitin e ardhshëm ka parashikuar gjithsej, 16 mln për indeksimin tuaj. U bëj thirrje pensionistëve nesër të gjithë tek parlamenti, është dita që shqiptarët të dëgjojnë zërin e tyre, është dita që bota të dëgjojë zërin e tyre, është dita në të cilën çdo pensionist shqiptar duhet të tregojë veten siç është, burrë, grua kurajoz, guximtar që nuk lejon të shkelmohet mbi dinjitetin e tij, të përçmohet, të përbuzet nga një bandë që e vjedh ditë për ditë. Ndaj dhe nesër në ora 5 pasdite, të gjithë para parlamentit për të mbështetur opozitën dhe amendamentet e saj në parlament.
Ky buxhet që shkon miliarda tek Lubi Balluku dhe lubitë e tjera të qeverisë, lë gjithsej për rrjetin rrugor mbi 12 mijë kilometra të asfaltuara, lë gjithsej 30 milionë dollarë për mirëmbajtje.
Ky buxhet në mënyrën më cinike nuk pasqyron asnjë rritje rrogash dhe pensionesh, parashikon 16 milionë euro për pensionistët dhe bonusin e blerjes së votës.



